Transmetuar më 14-04-2012, 16:54

Tiranë, 14 prill 2012, NOA – Bashkia e Tiranës ka reaguar ndaj akuzave të disa tregtarëve mbi rritjen e taksave ndaj biznesit të vogël, duke shprehur vendosmërinë për të luftuar konkurencën e pandershme, informalitetin dhe evazionin fiskal, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Zëdhënësja e Bashkisë së Tiranës, Anila Bisha deklaroi se “Bashkia e Tiranës ka qenë, është dhe do të jetë e vendosur për partneritet me biznesin në Tiranë. Të gjitha ato biznese që kanë qoftë dhe një ankesë, apo edhe paqartësi, i kanë patur dhe i kanë të hapura dyert e Bashkisë së Tiranës. Spekullimi për përfitim politik nuk i shërben askujt”.

Zëdhënësja e Bashkisë theksoi se Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha ishte i hapur për t’u ballafaquar me abuzimin politik që po i bëhet çështjes së taksave.

“Në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak, nuk u pranua nga ata që flasin sot për rritje taksash, çka dëshmon që ajo po përdoret thjesht dhe vetëm për konsumin e radhës të politikës shterpë. Bashkia do të vazhdojë të ndërmarrë hapa dhe masa të tjera konkrete për mbështetjen e biznesit dhe lehtësimin e barrës fiskale, por kjo nuk do të thotë që disa biznese të paguajnë e disa të tjera t’u bëjnë atyre konkurencë të pandershme”, u shpreh Bisha.

Sipas saj, të gjithë janë dhe do të jenë të barabartë para ligjit, Kryetarit të Bashkisë dhe administratës tatimore.

“Koha kur bizneset nuk i paguanin në Bashki, por ua jepnin nën dorë inspektorëve tatimore ka marrë fund”, theksoi Bisha, duke iu përgjigjur kështu edhe akuzave të tyre se “Lulzim Basha i ka mashtruar duke u rritur taksat për bizneset e tyre”.

mit/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit