

Bratislavë, 14 prill 2012, NOA- Ministri i Jashtëm Edmond Haxhiansto i pranishëm në Forumin Ndërkombëtar për Sigurinë Globale “Globesc 2012” i zhvilluar në Sllovaki zhviloi një sërë takimesh me homologë dhe pjesëmarrës të këtij aktiviteti.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast Haxhinasto theksoi se “Rajoni i Ballkanit Perëndimor ka një perspektivë të sigurt zhvillimi, duke qenë se po përvijohet gjithnjë e më tepër si një entitet i integruar ekonomik. Në funksion të kësaj perspektive zhvillimi, vendet e rajonit duhet të adoptojnë modelet evropiane të fqinjësisë së mirë”.
Më tej Haxhinasto tha se qeveria dhe populli shqiptar e mbështesin fuqimisht procesin e integrimit evropian dhe rajonal të vendit dhe njëkohësisht aspiratat e vendeve të tjera për këtë integrim.
Siç raporton agjencia e lajmeve noa.al, në vijim të Haxhinasto u prit në takim nga nga Zv.Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajçak.
Në takim u diskutua mbi zhvillimet në Shqipëri me theks të veçantë procesi i integrimit në BE, zhvillimet rajonale, si dhe aspekte të bashkëpunimit dypalësh.
Ministri Haxhinasto theksoi progresin e bërë në Shqipëri në drejtim të reformave, si dhe të situatës politike, duke nënvizuar se këto zhvillime pozitive duhet të kenë vlerësimin e Brukselit dhe vendeve anëtare të BE-së, për dhënien e statusit të vendit kandidat.
Nga ana e tij Lajçak u shpreh se vërtet në Shqipëri kanë ndodhur ndryshime pozitive, për të çuar në një lajm pozitiv drejt marrjes së statusit të vendit kandidat, por çdo gjë varet nga Shqipëria.
Lajçak ka vizituar më herët Shqipërinë si i dërguari i përfaqësueses së lartë të Bashkimit Europian për politikën e Jashtme dhe Sigurinë Catherine Ashton.
a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





