

Tiranë, 14 prill 2012, NOA- Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos, klerit dhe besimtarëve Ortodoks, ka dhënë urimin e tij me rastin e festës së Pashkës.
Në urimin e tij Kryepeshkopi Anastas shprehet se, “Në vazhdën e 20 shekujve që kaluan, kremtojmë në çdo Pashkë kalimin vendimtar të gjinisë njerëzore “nga vdekja në jetë”, çlirimin nga mëkati dhe prishja. Kështu ne fuqizojmë marrëdhënien tonë, kungohemi me Krishtin e kryqëzuar e të ngjallur, që na fal jetën e përjetshme dhe intensifikojmë pritjen tonë për ardhjen e Tij të dytë të lavdishme. Me ngjalljen e Tij, Krishti ngriti bashkë me Veten të gjithë natyrën njerëzore, për t’u bërë Shpëtimtari i përjetshëm, fuqia dhe ngushëllimi i besimtarëve”.
Më tej ai shton se duke kremtuar Pashkën, ftohen të gjithë në një lëvizje vetjake për të dalë nga mëkati shumëformësh dhe shpesh i vështirë për t’u dalluar.
Sipas terminologjisë së sotme Kryepeshkopi thekson se kjo do të thotë dalje nga korrupsioni, gënjeshtra, paligjësia, mashtrimi, të cilat ndotin në forma të ndryshme çdo shtresë shoqërore duke minuar kohezionin e popullit, dalje nga indiferenca për hir të drejtësisë dhe mobilizim që të mbizotërojë e drejta në ambientin tonë dhe më gjerë në shoqërinë tonë.
Në këtë linjë urimi i tij vijon me fjalët se Pashka fton gjithashtu të kalohet nga egocentrizmi në vëllazërim me të tjerët, “Le t’i falim të gjitha në dritën e Ngjalljes” dhe njëkohësisht, Pashka na fton të dalim nga zona e ankthit, shkurajimit, në atë të shpresës.
Kryepeshkopi uron duke thënë se, “Në përshëndetjen “Gëzuar Pashkët!”, që mbizotëron mes nesh gjatë këtyre ditëve, përmblidhet ftesa për një dalje shpëtimtare: Nga hipokrizia dhe paligjësia, në të vërtetë dhe drejtësi. Nga izolimi i egocentrizmit tonë, në solidaritetin aktiv. Nga shkurajimi dhe frika, në shpresë dhe gëzim paqësor. Nga besimi i pakët, në besim të ndërgjegjshëm. Pashka shkëlqimprurëse na fton për një dalje vendimtare nga ajo çka jemi në atë që Zoti i ngjallur dëshiron të bëhemi: njerëz që do të shijojmë dashurinë e Tij dhe do ta rrezatojmë atë. Gëzuar Pashkët, vëllezërit e mi! Krishti u Ngjall!”.
Kryepeshkopi Anastas Janullatos do të lexojë në Liturgjinë Hyjnore të Pashëks, në mesnatën e sotme, ndërsa shërbesa e Ngjalljes do të fillojë rreth orës 23.30.
a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





