Transmetuar më 13-04-2012, 09:17

"Kjo armatë që ka pushtuar institucionet dhe sferat e tjera shoqërore është një oktapod gllabërues që thellon humnerën e një keqqeverisje dhe mungesën e një vizioni për të ardhmen e vendit dhe sidomos popullsisë së re, duke seruar varfërinë dhe pasigurinë totale."…

Nga Muhamer Pajaziti

Evropa Perëndimore po ndjehet për çdo ditë e ekspansionuar nga të rinjtë ballkanas. Strehimoret e improvizuara nën urat dhe geto-lagjet e metropoleve evropiane, kampet e refugjatëve janë përplot të rinj bullgar, rumun, romë, por edhe të rinj shqiptarë thuaja nga të gjitha trevat shqiptare.

Eurobarometri në sondazhin e fundit jep shifra alarmante të “eksodit modern” të të rinjve nga Evropa Juglindore. Edhe sondazhet vendore pasqyrojnë një ndjenjë të tillë, ku çdo i ri synon të ikë dhe të krijojë një jetë më të mirë diku në botën e Perëndimit.

Një realitet tmerrues ka edhe Kosova, ku të rinjtë si shteg të tyre shpëtues i shohin vendet e BE-së, pa llogaritur koston e sfidave dhe sakrificave të tyre.

Eksodi i trurit të ri është si rezultat i brishtësisë së shteteve, dominimit dhe indoktrinimit politik në çdo pore të shoqërisë dhe jetës së përditshme, anashkalimi i trurit dhe intelektualizmit, dominimi i klasave mediokre politike të zhytura në krim të organizuar dhe korrupsion të hatashëm.

Një diplomat perëndimor në një bisedë rasti nxjerrë diagnozën e doktrinave të qeverisjeve dhe menaxhimit të shteteve me një përkufizim se “klasat politike në vendet e Ballkanit kryesisht përbëhen nga një mikst i elitave politike të periudhave të komunizmit dhe elitave të reja fshatareske, të varfra anti-komuniste që janë brum i krijesave të dalura nga konfliktet e fundit dhe ombrellat nacional – romantike, përfshirë gati çdo vend, kryesisht ato të ish-Jugosllavisë’.

Kjo armatë që ka pushtuar institucionet dhe sferat e tjera shoqërore është një oktapod gllabërues që thellon humnerën e një keqqeverisje dhe mungesën e një vizioni për të ardhmen e vendit dhe sidomos popullsisë së re, duke seruar varfërinë dhe pasigurinë totale.

Mentalitetet e tilla janë aq larg botëkuptimeve dhe trendeve të punës evroperëndimore, saqë krijojnë përshtypjen se integrimi evropian për ta nënkupton shkuarjen apo largimin nga vendi, dhe jo forcimin e brendshëm institucional dhe zhvillimin ekonomik. Ngatërrimi i këtyre koncepteve sipas mentaliteteve dhe formësimeve “alla turke” pasqyron në të vërtetë se ku gjendet sot Ballkani dhe pse çdo ditë kemi braktisje masive të vendeve.

Fatkeqësisht, njëzetë vjet pas rënies së komunizmit diferenca në pasuri mes vendeve të Ballkanit dhe vendeve të BE-së është shumë e madhe.

Korrupsioni, kriminaliteti i jakës së bardh, mungesa e edukimit profesional, po i pamundëson këtyre vendeve një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm si dhe një perspektivë më të mirë për të rinjtë.

Një numër i madh i rajoneve edhe brenda shteteve të cilat tashmë janë pjesë e Bashkimit Evropian janë skajshmërisht të varfra. Ato nuk kanë mundur të kenë qasje në fondet strukturore evropiane, ose shumica e këtyre granteve janë keqpërdorur në mënyra të ndryshme nga elitat e papërgjegjshme politike.

Emigrimi po godet, statistikat janë alarmante

Edhe vendet anëtare nuk po i shpëtojnë eksodit masiv të të rinjve. Në Rumani ku rroga mesatare është rreth 300 euro  gjatë dhjetë viteve të fundit numri i popullsisë është zvogëluar për 12 për qind. E njëjta ka ndodhur edhe në Bullgari ku sipas statistikave zyrtare numri i popullsisë është zvogëluar për 7 për qind.  Ndërsa si pasoj emigrimit  të shteteve të reja anëtare nga zgjerimet e fundit në vitin 2004 dhe 2007 po rritet numrin i popullsisë në vendet e pasura evropiane. Gjermania për herë parë në vitin 2012 shënoi rritje të popullsisë, ndërkaq e njëjta situatë është paraqitur edhe në disa vende tjera të BE.

Procesi i liberalizimit të vizave është një tregues se qytetarët e Ballkanit Perëndimor duan të ikin drejt vendeve të BE dhe kjo e fundit u detyrua të nxjerrë dhëmbët dhe të paralajmërojë mekanizmat sanksionues.

Nga Maqedonia, Serbia dhe Shqipëria është evidente ikja e heshtur e rinisë, por edhe familjeve drejt vendeve të BE-së, duke u pajtuar edhe me një status të paqartë qëndrimi dhe të zvarritur, por vetëm e vetëm për tu mos u kthyer në vendlindjet e tyre.

Numri i popullsisë në Serbi shënoi rënie prej 5 për qindte, në Maqedoni u ndërpre regjistrimi i popullsisë për faktin se shifrat ishin shqetësuese, ndërsa në Kosovë askush nuk e besonte se jetojnë më pak se 2 milion banorë.

Kjo zbuloi faktin se si pasojë e okupimit serb, gjendjes së rëndë ekonomike, mbi 500 mijë kosovarë kanë emigruar drejt vendeve të perëndimore. E njëjta ka ndodhur edhe me Maqedoninë ku statistikat bëjnë të ditur se mbi 200 mijë shqiptarë jetojnë në diasporë, ndërsa nuk është i vogël edhe numrin i maqedonasve të rinj që kanë emigruar dhe po emigrojnë drejtë Australisë, SHBA-ve dhe vendeve të BE. Për Kosovën pritjet janë që një numër i madh i të rinjve kosovar do ta braktisin vendin pas procesit të liberalizimit të vizave. Kjo po i bënë evropianët që ta shtyjnë këtë proces deri në vitin 2014 apo 2015.

Situata e tillë alarmuese  do të tejkalohej vetëm atëherë sikur të kishim një një perceptim më real të konceptit të integrimit nga vetë popullata si dhe një përkushtim më të madh të qeverive në lidhje me proceset integruese, në mënyrë që të sjellë më shumë përfitime reale dhe të prekshme për popullatën. Por, kjo vështirë të ndodhë me një klasë të tillë të reprodukuar politike.

Fondet Strukturore dhe të Kohezionit 

Me qëllim që të përkrahet një zhvillim harmonik i tërësisë së BE-së, kjo e fundit  zhvillon dhe vazhdon një veprim të saj, që synon në përforcimin e kohezionit ekonomik dhe shoqëror.  Kjo strategji ka për qëllim të zvogëlojë pabarazitë ndërmjet niveleve të zhvillimit të rajoneve të ndryshme, si dhe prapambetjen e rajoneve ose ishujve më pak të favorizuara, përfshirë këtu edhe zonat rurale, zonat e prekura nga tranzicioni industrial, rajonet të cilat vuajnë nga hendikepe të rënda natyrore dhe demografike. Në këtë kundërtën, mos intervenimi i BE-së në zhvillimin e këtyre rajoneve do të dëmtojë themelet e këtij organizmi, duke përfshirë tregun e saj të brendshëm dhe euro zonën, gjegjësisht monedhën euro. Në vitin 1971, këtë e kishte pohuar edhe vet komisioneri për politikat rajonale të BE-së, Albert Borschette. Sipas tij, Bashkimi monetar do të jetë i pamundur të zhvillohet dhe ekzistojë nëse kemi dallime apo disparitete të mëdha mes rajoneve të ndryshme të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.

Buxheti i shpërndarë për politikën rajonale të Komunitetit për periudhën 2007- 2013, është 347 bilion euro, përfshirë 201 bilion euro për Fondin Evropian të Zhvillimit Rajonal, 76 bilion për Fondin Social Evropian dhe 70 bilion për Fondin e  Kohezionit.

Buxheti përfaqëson 35, 7 për qind të buxhetit të Unionit dhe kësisoj është njësia e dytë për nga madhësia në buxhet. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me transferimin e këtyre parave rajoneve më të varfra, por të hollat jepet për programe apo projekte që ndihmojnë zhvillimin ekonomik, hapin vende të reja pune, përmirësojnë lidhjet e transportit në rajonet e largëta, ndikojnë në rritjen e numrit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në zonat e pafavorizuara duke investuar në një mjedis më të pastër si dhe përmirësimin e arsimit.  Ndërkaq shtetet të cilat kanë statusin kandidatë marrin asistencën nga Bashkimi Evropian përmes fondeve IPA.

Megjithatë, këto fonde nuk po shfrytëzohen si duhet, si pasojë e ngecjes së reformave, si dhe pamundësisë për të krijuar një sistem funksional institucional, legjislativ si dhe kapacitete administrative për ti menaxhuar me sukses në favor të mirëqenies së qytetarëve. BE akoma nuk ka hartuar një strategji të qartë për të përballuar eksodet e pandalshme masive të ballkanasve dhe mungesa e një plani afatmesëm ndoshta do të vështirësojë dhe [akordojë politikat e brendshme të sigurisë dhe ato të integrimit.

noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit