Transmetuar më 12-04-2012, 16:11

Tiranë, 12 prill 2012, NOA – Kuvendi i ka dhënë zgjidhje mosmarrëveshjeve mes mazhorancës dhe opozitës për mandatin e 66-të të opozitës, i cili mungonte prej katër muajsh pas dorëheqjes së ish-deputetes socialiste Rudina Seseri në muajin dhjetor të vitit të shkuar, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Palët votuan sot në Kuvend raportin e përbashkët të hartuar nga deputetët Viktor Gumi i PD-së dhe Damian Gjiknuri i PS-së.

Konsensusi për këtë raport u arrit të mërkurën gjatë mbledhjes së Këshillit të Rregullores dhe Mandateve.

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin diskutoi për rastin specifik të verifikimit të mandatit të deputetit, Gjon Bardhi, të dhënë me vendimin nr: 2, datë 13.012012, të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Kuvendi përmes raportit njohu dorëheqjen e zotit Bardhi nga mandati i deputetit, që sipas ligjit i përkiste në bazë të listës së deputetëve të PS-së.

Anëtarët e Këshillit duke interpretuar nenin 71 të Kushtetutës, propozuan që ky rast specifik dhe i paprecedent, i cili evidenton edhe një boshllëk në Kodin Zgjedhor për t’i dhënë zgjidhje çështjes në fjalë, t’i adresohet edhe Komisionit për Reformën Zgjedhore, në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten më.

mit/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit