




Tiranë, 12 prill 2012, NOA – Kuvendi do të hedhë sot në votim gjatë seancës plenare dy kandidaturat e propozuara nga mazhoranca dhe opozita për vendin e lënë vakant në Këshillin e Lartë të Drejtësisë pas dorëheqjes së Kreshnik Spahiut, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Do të votohen për postin në KLD, Elvis Cefa, kreu aktual i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave i propozuar nga PD dhe ish-prokurori Ardian Visha, i cili ka qenë edhe avokat i ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu në hetimet e çështjes Gërdeci, i propozuar nga PS.
Opozita ka bërë me dije se do të japë votën kundër Elvis Cefës, duke e konsideruar të pakualifikuar mjaftueshëm për këtë post të rëndësishëm.
Ndërkohë që deputetët e PD-së e cilësojnë pak të besueshëm Ardian Vishën për këtë post, duke i përmendur edhe faktin se PS me emërimin e tij kërkon sipas tyre, të ndryshojë mendim lidhur me Gërdecin.
Por, kjo është hedhur poshtë nga opozita në seancën e djeshme në Komisionin e Ligjeve, ku ajo e mbrojti Vishën si një jurist profesionist, ndërsa ripërsëriti qëndrimin e pandryshuar për Gërdecin.
Interesant pritet të jetë votimi i sotëm për dy kandidaturat.
Në rendin e ditës të seancës është edhe çështja e shumëdebatuar ditët e fundit e mandatit të ish-deputetes socialiste Rudina Seseri, për të cilin vetëm dje deputetët e PD dhe PS-së në Këshillin e Rregullores ranë dakord ta zgjidhin shpejt duke dalë me një raport të përbashkët i hartuar nga deputetët Viktor Gumi i PD dhe Damian Gjiknuri i PS.
Ky raport do të paraqitet dhe hidhet për votim në seancën e sotme, dhe pas votimit do t’i dërgohet për interpretim KQZ-së.
Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin diskutoi në frymën e konsensusit për rastin specifik të verifikimit të mandatit të deputetit, zotit Gjon Bardhi, të dhënë me vendimin nr: 2, datë 13.012012, të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli i kërkoi Këshillit që t’i drejtohet seancës plenare që të njohë dorëheqjen e zotit Bardhi.
Anëtarët e Këshillit propozuan që ky rast specifik dhe i paprecedent, i cili evidenton edhe një boshllëk në Kodin Zgjedhor për t’i dhënë zgjidhje çështjes në fjalë, t’i adresohet edhe Komisionit për Reformën Zgjedhore, në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten më.
Rendi i ditës në seancën plenare të Kuvendit:
1 . Miratimi i procesverbalit të seancës plenare.
2. Projektligj “Për ratifikimin e marrëveshjes dhe Fondit të OPEC-UT për zhvillim ndërkombëtar, për Financimin e projektit të rrugës Tiranë- Elbasan”.
3. Projektligj “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IDBRD), për financimin shtesë të projektit ”Siguria e digave”.
4. Projektligj “Për një shtesë në ligjin nr.9920,datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”. (shtyhet shqyrtimi për seancën e ardhshme me kërkesë të komisionit të ekonomisë).
5. Projektligji “Për afatet dhe procedurat e mbylljes së procesit të kontrollit financiar të personave juridike jobankarë që kanë marre hua nga publiku i gjerë”.
6. Projektligj “Për shëndetin mendor”.
7. Projektligj “Për gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative dhe Organizimin e Drejtësisë Administrative”. (vazhdon shqyrtimi në komisionin përgjegjës)
8. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2011”.
9. Plotësimi i vëndeve vakante në institucione. 10. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës (60’).
mit/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





