Transmetuar më 11-04-2012, 15:43

Vlorë, 11 prill 2012, NOA – Nga Vlora, ku 900 të rinj e të reja u bënë anëtarë të Partisë Socialiste, kreu i PS-së Edi Rama deklaroi se në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, Vlora nuk ka ende një rrugë evropiane për në vendin ku u ngrit flamuri shqiptar.

Duke nisur fjalën e tij Rama tha se për të ardhur në Vlorë duhet kaluar ende nëpër rrugën e ndërtuar gjatë Luftës së Parë Botërore.

“Ndërkohë që po vija për në Vlorë nuk kishte se si të mos mendoja që po vija nga rruga e bërë në fillim të shekullit të shkuar nga austriakët, ndërkohë që në 100 vjetorin e pavarësisë shqiptarët nuk e kanë ende një rrugë europiane për të shkuar në qytetin e pavarësisë. Për këtë arsye fola edhe me kryetarin e bashkisë dhe i thashë që ‘në 27 nëntor do të çojmë te dera e kryeministrisë 16 kuaj që qeveria të vijë të nesërmen në Vlorë për të festuar pavarësinë nga rruga që nuk e ka ndërtuar po që ka mbetur ajo që ishte që në kohën e austriakëve. Shpëtimi ‘darkord’ tha ‘po duhet të sigurohemi që nuk do vjedhin dhe kuajt që do u çojmë ne për të ardhur në Vlorë”, deklaroi Rama para të rinjve.

Kryetari Rama u bëri apel të rinjve se nëse i mundon varfëria, papunësia, të mos ia delegojnë askujt, por të luftojnë në vetë të parë.

“Nëse i mundon rruga e mbyllur e konkurrencës atëherë çfarë duhet të presin më. Ndryshimin mund ta sillni ju, sepse fuqia e ndryshimit është secili nga ju”, iu drejtua Edi Rama të rinjve.

“Ju keni dëgjuar për Programin tonë. Duke qenë pjesë e Partisë Socialiste ju keni mundësi të merrni pjesë aktive në formësimin e Programit tonë. Keni dëgjuar që Programi ynë quhet “Për një Rilindje Shqiptare”. E pra, unë ju them “Për një Rilindje Shqiptare” nuk është një titull i bukur për Programin tonë, po është një vizion për rrugën tonë të përbashkët. Programi është instrumenti që do të na mundësojë që ta hapim këtë rrugë për të gjithë njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, që e meritojnë një rilindje shqiptare, sepse Shqipëria është atdheu i përbashkët i të gjithëve dhe nuk mund të jetë kurrë prona e një grushti njerëzish”, theksoi Rama.

Ai e cilësoi inkurajues faktin e përfshirjes së të rinjve në degën PS të Vlorës.

mit/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit