Transmetuar më 11-04-2012, 15:26

Tiranë, 11 prill 2012, NOA – Pas akuzave në dy të përditshme se gjatë shtatorit të vitit 2009 ka marrë dy paga, një si Avokat i Përgjithshëm i Shtetit edhe një si deputet, Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi sqaron se pretendimet janë tërësisht të pavërteta.

“Z. Eduard Halimi ka ushtruar detyrën e Avokatit të Përgjithshëm të Shtetit, nga data 20.06.2008 me urdhrin nr.78 të Kryeministrit deri në datë 04.09.2009 ku me urdhrin nr. 128 të Kryeministrit ai është liruar nga kjo detyrë. Ashtu siç tregohet edhe faksimilen e botuar, rezulton se z.Halimi është paguar nga Avokatura e Shtetit për muajin shtator në shumën 34.299 lekë, që përbën pagën për 4 ditë pune dhe jo 21 ditë punë siç citohet në gazeta”, deklarohet në reagimin e ministrit, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

“Pagesa e z. Halimi për muajin shtator 2009 nga Avokatura e Shtetit, nga paga e përgjithshme mujore prej 186.120 lekësh, është bërë vetëm për 4 ditë që ka qenë prezent dhe jo  21 ditë, veprim ky i kryer nga zyra e Financës e në zbatim edhe të Urdhërit te Kryeministrit nr.128 dt 04.09.2009. Katër ditë pas lirimit me Urdhër të kryeministrit nga detyra, në datë 06.09.2009 ka qenë mbledhja e parë e Kuvendit të ri për legjislaturën e re, datë nga e cila z. Eduard Halimi ka filluar të paguhet si deputet i Kuvendit”, bën me dije MD.

Duke iu referuar faksimileve, MD thotë se rezulton se “Eduard Halimi gjatë muajit shtator 2009 nuk është paguar për asnjë minutë të vetme, jo me ditë, me dy paga, por ka ndërprerë pagesën nga Avokatura e Shtetit në datë 04.09.2009 dhe ka filluar funksionet e deputetit të Kuvendit me 8 shtator 2009 nga ku ka filluar të paguhet me pagën e deputetit”.

Sipas Ministrisë së Drejtësisë, nuk ekziston mbivendosje por ka 4 ditë diferencë ndërmjet ndërprerjes së pagës si Avokat Shteti dhe fillimit të pagës si deputet.

Ministri i Drejtësisë nënvizon se veprimtaria e tij është në përputhje të plotë me Kushtetutën, ligjet e vendit dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, nr.44 datë 7.10.2011, pika 39 e tij.

mit/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit