Transmetuar më 10-04-2012, 23:02

Kryetari i Partisë Lidhja për Drejtësi e Progres, Elmaz Sherifi, deklaron se do ti kërkojë kryeministrit Sali Berisha t’i paraqesë Turqisë kërkesën për kthimin në atdhe të eshtrave të Sami Frashërit. Në emisionin “intervista nga Roland Qafoku” në Planet Tv, z. Sherifi e lidhi këtë jo vetëm me figurën e tij por edhe me filozofinë  e partisë së re të sapokrijuar, e cila ka për bazë pikërisht filozofinë e Sami Frashërit.

Z. Sherifi sqaroi programin e partisë e cila është shkëputur nga Partia Socialiste dhe që është e lidhur me çdo hap të saj me projektin e Shqipërisë politike që ideoi rilindësi i madh.

Sherifi e tha këtë edhe për faktin se pak ditë më parë kryeministri Berisha takoi në Ankara homologun e tij Taip Erdogan dhe të dy vlerësuan miqësinë personale por edhe atë mes dy vendeve.

“Meqenëse Berisha ka shumë miqësi me Erdogan, unë do ti kërkoj ti paraqesë një kërkesë për kthimin në atdhe të eshtrave të Sami Frashërit. Në 100 vjetorin e Pavarësisë eshtrat e të tre vëllezërve duhet të prehen në atdheun e tyre”  tha Sherifi.

Në Shqipëri aktualisht janë kthyer nga Turqia vetëm eshtrat e Naim dhe Abdyl Frashërit. Në vitet ‘70-të sipas të dhënave, Turqia e ka refuzuar kërkesën e Tiranës zyrtare për kthimin e eshtrave të Sami Frashërit. /b.h/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit