

Tiranë, 10 prill 2012, NOA- “Deri tani në fakt, zoti Rama ka kërkuar si gjithnjë një “gjethe fiku”. “Gjethe fiku”: o në “kuti”, o në “çadër”, o në “sirtar”. Problemi është se edhe po e gjeti, ajo nuk e mbulon, veçse e turpëron”. Kështu i është kundërpërgjigjur Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama, i cili e akuzoi se po mban në sirtarin e saj, mandatin e ish-deputetes së PS-së Rudina Seseri, e dorëhequr disa muaj më parë, raporton agjencia e lajmeve NOA.al. Pas akuzave të dy ditëve të fundit mbi mandatin e Seserit, kryeparlamentarja Topalli doli në një konferencë për shtyp ku deklaroi se “Kryetari i PS, sa herë ka hall, përpiqet të fshihet sipas rastit, o në kuti, o në çadër, o në kafaz ose kudo që mendon se i bën bisht realitetit. Kësaj here paska gjetur “sirtarin e Jozefinës”, theksoi Topalli. “Ky “burri” që qan se “po e rreh Jozefina”, bën mirë t’u shpjegojë shqiptarëve, dhe veçanërisht socialistëve, se perse, ndodhemi në këtë situatë… Nëse këtë zonjën Seseri, e solli Jozefina në parlament, apo ai vete. Më tej duhet t’u shpjegojë, nëse këtë zonjën që në tri vjet nuk ka ardhur as 3 ditë në parlament e pengoi Jozefina. E më tej, kur zonja zgjodhi të mos shpenzojë me asnjë ditë në parlament dhe të japë dorëheqjen e bëri këtë për shkak të Jozefinës?”, nënvizoi kryeparlamentarja. Ajo e cilësoi rastin Seseri si një rast unik në historinë e Kuvendit, në përçmimin që kjo deputete sipas Topallit, i bëri Parlamentit dhe atyre që e kanë zgjedhur. “Ky është rasti i degradimit, apo fenomeni i pashembullt i Partisë së miliarderëve me Kryetar “fukara”, tha Topalli. Ajo sqaroi se askush nuk e ka vënë në pikëpyetje mandatin e opozitës, duke nënvizuar se pasuesi i Seserit do të zgjidhet sipas Kushtetutës. “Parlamenti, Këshilli i Rregullores, KQZ-ja, ndodhen përpara një situate që duhet sqaruar në modalitetet e saj, pra se si duhet të realizohet; dhe jo ne thelb, pasi askush, (përveç zotit Rama) nuk ka vënë në pikëpyetje faktin që në poltronin e zonjës Seseri në parlament, do të ulet një “Seser” tjetër, po ashtu socialist. Problemi është që “Seser” apo jo, zotëria që ka radhën për të hyrë në Kuvend, duhet të hyjë me dinjitetin dhe respektin ndaj Kushtetutës dhe ligjit, mbi të cilën jemi betuar të gjithë ne. Nuk mund të hyjë as nga penxherja, e as nga dera e pasme, e në asnjë mënyrë tjetër që mund të shpikë “mosmarrëveshja” mes zotit Rama dhe udhëheqësve socialistë në Kuvend”, u shpreh zonja Topalli. Zonja Topalli tha se mes anëtarëve të PS-së dhe kreut ka mendime të ndryshme sa i përket vendimit të KQZ-së për këtë çështje. “Në mbledhjen e Këshillit të Rregullores, (prej 10 anëtarëve, prej te cilëve 5 janë të opozitës), përfaqësuesit e PS ndërruan mendje disa herë në interpretimin e çështjes, duke insistuar se vendimi i KQZ ishte “një”, “dy”, “tri” apo “më shumë fish” i paligjshëm dhe anti-kushtetues. Këtyre, iu shtua dje mendja e zotit Rama, i cili tha “me zë dhe figurë” krejt të kundërtën, pra që “Vendimi i KQZ është krejt i ligjshëm, Kushtetues dhe i qartë si drita e diellit”. Duke qenë se Këshilli i Rregullores nuk funksionon me shumicë votash por në barazi të plotë përfaqësimi 5 anëtarë nga mazhoranca dhe po 5 nga opozita, deri sa zoti Rama të ndajë përfundimisht mendjen mbi ligjshmërinë ose jo të akteve ligjore të prodhuara deri tani për këtë çështje, “i mjeri Këshill”, me gjithë socialistë brenda, është i bllokuar në dhënien e çdo opinioni dhe arritjen e çdo konkluzioni”, sqaroi Topalli. Ajo i kujtoi zotit Rama se Kryetarja e Kuvendit nuk ka asnjë tagër në Kushtetutë për të dhënë apo për të hequr mandatin e deputetit. Duke iu referuar akuzave për mbajtjen peng të mandateve të tjera, kryeparlamentarja i bëri thirrje opozitës të sjellë kandidaturat e mbetura vakante për bordin e TVSH-së, duke i bërë me dije Ramës se vandakun e mandateve për funksionet Kushtetuese mund ta kërkojë në sirtaret e Presidencës. “Gjej rastin që publikisht të ripërsëris për të disatën herë në tri vjet, kërkesën për zotin Rama dhe partinë qe ai drejton, që të sjellin kandidaturat për vendet vakante qe i përkasin opozitës në: “Bordin e TVSH” dhe “Këshillin Kombëtar të Radio Televizioneve”, vende këto të lëna bosh qe prej tri vitesh, njësoj si poltrona e zonjës Seseri ne Parlament. Për sa i përket “Vandakut të mandateve për funksionet Kushtetuese”, atë, zoti Rama duhet ta kërkojë në “sirtarët Presidencës” aty ku e ka dërguar me vendim Kuvendi me votën e tij në seancë plenare dhe jo Jozefina; por aty unë nuk e ndihmoj dot, nëse kërkon, do të gjeje me siguri një votues të tij të devotshëm që do ta sqarojë”, tha Topalli. Kryetarja e Kuvendit tha se në fund të deklaratës së saj se “siç tha dje kryetari i PS, e gjithë kjo histori “burrash” që ndërrojnë fjalën çdo sekondë, nuk ka për objektiv bllokimin e reformave dhe prishjen e konsensusit, atëherë edhe modalitetet ligjore e Kushtetuese sigurisht që gjenden brenda kornizës se ligjeve të shtetit ligjor”. Ndërkohë më herët gjatë mbledhjes së grupit kuvendor socialist Kryetari i PS Edi Rama akuzoi kryetaren e Kuvendit se po mban peng në sirtar disa mandate. “Mandati mbahet peng në sirtarin e Jozefinës. Është i disati mandat që mbahet peng në mënyrë antikushtetuese në kundërshtim me Kushtetutën, ashtu siç mbahen peng mandatet e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë dhe procesi ripërtëritës për Bordin e Këshillit Kombëtar të Radio e Televizionit, që drejtohet sot nga persona pa mandat dhe paguhen nga taskapaguesit”, akuzoi Rama.
Sipas tij, mbajtja peng e këtij mandati është pjesë e procesit të degradimit të marrëdhënieve të Kuvendit me demokracinë, me Kushtetutën dhe me ligjin.
noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





