Transmetuar më 10-04-2012, 20:23

Korçë, 10 prill 2012, NOA- Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta nga qyteti i Korçës kërkoi që të përshpejtohet puna për Reformën Zgjedhore, duke u ndalur në rekomandimet e OSBE-ODIHR me qëllim realizimin e barazisë së votës.

Në këtë linjë ai tha se LSI është e hapur për çdo formulë që i realizon këto, sepse sipas tij çdo formulë është çështje kompromisi dhe duhet kompromis.

Lidhur me kandidatët e mundshëm për President ai tha se, “Për Lëvizjen Socialiste për Integrim më i rëndësishëm është procesi, i cili duhet të jetë një proces kushtetues, pa asnjë diskutim, por edhe sa më konstruktiv që të jetë e mundur. Emrat vinë pas procesit”.

Siç raporton agjencia e lajmeve noa.al, më tej ai theksoi se LSI ka lindur si një sfidë për ndryshimet e vendit dhe se është forca politike për të realizuar sfidat e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Sipas Metës, fuqizimi i LSI është një kontribut për integrimin e vendit në Bashkimin Europian ndërsa e konsideroi procesin e integrimit si një mundësi të madhe për përshpejtimin e zhvillimit ekonomik të vendit.

Sakaq i pranishëm në Konferencën Zgjedhore të Lëvizjes Rinore për Integrim, ai u tha të rinjve se “Emigracioni nuk është më perspektiva e të rejave dhe të rinjve të Shqipërisë përkundrazi të gjitha mundësitë dhe kushtet janë që të rinjtë ta gjejnë vetveten dhe të ardhmen e tyre dhe të familjeve të tyre këtu në Korçë dhe në Shqipëri. Ndaj ne shohim procesin e integrimit evropian të vendit si mundësinë më të mirë për një zhvillim të qëndrueshëm dhe të shpejtë për të krijuar më shumë vende pune, për të nxitur më shumë investime”.

a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit