

Cërrik, 9 prill 2012, NOA – Një shkollë 9-vjeçare në qytetin e vogël të Cërrikut do të mbajë emrin e poetes Drita Çomo, e bija e Liri Belishovës, e cila u shua në moshë të re gjatë internimit të familjes së saj në këtë qytet, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Këshilli Bashkiak i Cërrikut vendosi që shkolla 9-vjeçare të mbajë emrin “Drita Çomo”.
Gjatë ceremonisë për inaugurimin e emrit të shkollës merrnin pjesë nëna e Drita Çomos, Liri Belishova, familjarë, nxënës, qytetarë, drejtues të pushtetit vendor në Elbasan, deputetja demokrate Rajmonda Bulku dhe ministrja e Integrimit Majlinda Bregu.
Nëna e Dritës, Liri Belishova duke falenderuar autoritetet për këtë nderim të së bijës, u bëri thirrje të ftuarve ta çmojnë demokracinë pasi sipas saj, ajo lumturon këdo.
Deputetja Rajmonda Bulku, shoqe me Drita Çomon gjatë fjalës së saj iu rikthye të shkuarës moniste duke thënë se “në moshën e saj Drita nuk mund të luante, e të merrte dhjeta, sepse ishte e persekutuar. Ajo ishte një vajzë mjaft e zgjuar, e sjellshme dhe e edukuar pasi i përkiste një familje të ngritur”.
Gjatë ceremonisë mori fjalën edhe ministrja e Integrimit Majlinda Bregu, e cila nënvizoi se shqiptarët nuk duhet t’i harrojnë vuajtjet në diktaturë.
Gjatë ceremonisë ku merrnin pjesë edhe nxënësit e shkollës dhe qytetarë të shumtë u lexuan vargje të shkruara nga Drita Çomo, si dhe u ndanë kujtime të asaj kohe të zymtë të diktaturës.
mit/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





