Transmetuar më 09-04-2012, 14:43

Tiranë, 9 prill 2012, NOA- Presidenti i vendit Bamir Topi priti sot në takim Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani.

Gjatë fjalës së mbajtur në takim Presidenti Topi nënvizoi rëndësinë e konsolidimit të një sistemi gjyqësor të pavarur, të paanshëm e profesional si dhe të painfluencuar nga trysnitë politike apo ekonomike.

Siç informon noa.al, kreu i Shtetit vlerësoi rolin e rëndësishëm ligjor dhe konstruktiv të Gjykatës Kushtetuese të Shtetit të Kosovës dhe theksoi “rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit të gjithanshëm mes institucioneve ligjore të të dyja vendeve tona në përpjekje për forcimin dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës sipas standardeve më bashkëkohore europiane”.

Në këtë kuadër Presidenti Topi dhe Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani vunë në pah rëndësinë e hartimit dhe zbatimit të projekteve konkrete të gjykatave kushtetuese respektive dhe marrëveshjeve të ndryshme në fushën e drejtësisë mes dy vendeve tona.

Nga ana e tij Hasani theksoi se institucioni që ai drejton do të vazhdojë të rrisë e të zgjerojë bashkëpunimin me Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë, si dhe do të punojë akoma më shumë në drejtim të forcimit të institucioneve ligjore dhe shtetit të së drejtës në Kosovë.

a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit