
Nga Sami Repishti
Javën e kalueme, Instituti Alb-Shkenca (IASH), Seksioni i Shkencave Mjekësore, organizoi dhe mbajti në Tiranë Konferencën Ndërkombëtare ”Ethics in Medicine”. Kjo konferencë ashtë e para e këtij lloji që mbahet në trojet shqiptare në Ballkan, kryesisht nga mjekë shqiptarë, së bashku me disa ekspertë ndërkombëtarë. Dr. Altin Stafa dhe bashkëpunëtorët e tij meritojnë mirënjohjen tonë për këtë shërbim që i bahet popullit tonë. Tërheq vrejtjen fakti se përfaqësues shqiptarë të mjeksisë nga Kosova dhe Maqedonia dhanë kontributin e tyne për pasunimin dhe suksesin e kësaj konference. IASH ashtë nji grumbullim shkencëtarësh mbarëshqiptarë që ndjek rrugën e paevitueshme të afrimit në mes të popullsive shqiptare në trevat ballkanike, nji proces që duhet të zhvillohet gjanësisht dhe thellësisht, me qëllim që të sjellë në jetë integrimin e mendimit letrar, politik, kulturor dhe shkencor të hapësinës shqiptare në Ballkan – dhe mundësisht edhe në botë. Simbas lajmërimit zyrtar të organizatorëve, Konferenca Ndërkombëtare mbi “Ethics in Medicine” çel serinë e veprimtarive që IASH planifikon në kuadrin e 100-vjetorit të Pavarësisë kombëtare të Shqipërisë. Ky planifikim më nxit të propozoj edhe organizimin e nji konference të këtij lloji për zhvillimin e arsimit modern në trojet shqiptare në Ballkan. Pse arsimi? Tradicionalisht, arsimi gjykohet si drita që lufton errësinën e injorancës dhe nga kaosi krijon nji botë të organizueme. Në shekullin 21, forca dinamike e zhvillimit varet nga “kapitali njerëzor” ma shumë se nga burimet e landëve të para ose rezervat e mëdha të kapitalit investues. Ky “kapital njerëzor” ngrihet nga nji filozofi arsimore që mbështetet në konceptin e njeriut të lirë, në nji shoqëni të lirë, të arsimueme dhe me sensin e përgjegjsisë në vendin ku jeton.Sot në Shqipëri arsimi gjindet në mes të përpjekjes titanike për të ardhmen e paevitueshme europiane dhe pengesave të krijueme nga dështakët e së kaluemes. Revolucioni elektronik dhe fusha e gjanë e informatikës që na rezervon e nesërmja kërkojnë kuadro të përgatituna mirë në shkencë dhe teknologji, sepse atje janë vendet e punës që presin teknikët. Ky ashtë nji imperativ i kohës që shqiptarët nuk guxojnë të mos e përfillin. Ata duhet të modernizohen në mendimet e tyne, përndryshe do të jenë të destinuem me vegjetue në vorfëni të përherëshme. Nji popullsi shqiptare që shikon të ardhmen e lirë vetëm nga hijet e së djeshmes së dhimbshme nuk përparon, sepse partizania ashtë nji shkelje flagrante e humanizmit universal që arsimi i vërtetë kultivon. Jemi në fund të shekullit të “politikës”, shpeshherë joparimore. Gjindemi në prag të “hyrjes në histori”, ku fati ynë do të farkëtohet me duert tona. Arsimi ashtë element thelbësor i këtij marshi historik. Sot duhet të pyesim cili ashtë vizioni shqiptar për shekullin 21? Përgjigjja e kësaj pyetje ashtë nji imperativ, korrektesa e të cilit do të përcaktojë fatin tonë, të paktën për nji shekull. Arsimi këtu luen nji rol qendror si nji disiplinë për zhvillimin e mendjes dhe karakterit nëpërmjet mësimit në klaset tona, që duhet të jenë laboratorë të vërtetë ku paraqiten, analizohen, diskutohen dhe mundësisht nxirren përfundime që mund të konfirmohen me metoda shkencore. Shkolla shqipe, klaset e nxanësve shqiptarë duhet të punojnë si institucione informimi të lirë e të plotë, e jo si qendra formimi ideologjik; ata duhet të jenë “akademi” të vogla të mendimit të lirë, të shprehjes së lirë, “faltore” të lirisë së individit dhe të lirisë në shoqëninë shqiptare. Kështu mund të pengojmë dështimin në punën tonë për formimin e “kapitalit njerëzor” si dhe ndërtimin e shoqënisë shqiptare. Kjo vlen sidomos për nxansit e shkollave në katundet e vorfna të vendit ku shuhen shumë talente, dhe për femnën shqiptare – gjysma e popullsisë – ku shmangen aftësi të pakufizueme. Atje duhet të zbatojmë programe shumë ma të gjana se sot dhe ma të përshtatshme për punësim në botën e zhvillueme të internetit. Autoritetet qendrore dhe vendore duhet të kuptojnë randësinë e ”kapitalit njerëzor” qoftë për të tashmen e vendit, qoftë për të ardhmen e tij. Arsimi sot duhet të përmbushë edhe rolin e “rindërtimit moral” të shoqënisë shqiptare, të damtueme randë nga përvoja degjeneruese e diktaturës komuniste, dhe akoma sot përsëri, nga mbeturinat e mentalitetit rezistues komunist. Nji arsim përparimtar thekson prirjen tonë të mbrendshme me përqafue të mirën. Nji arsim përparimtar që thekson lirinë individuale ashtë autentik dhe ngul kambë për vlerat e shërbimit në shoqëni. Pjekunia intelektuale ashtë aftësia e jonë me ndihmue të tjerët. Na jetojmë në nji epoke ku mbrojtja “e tjetrit” bahet çdo ditë e ma shumë nji parim në marrëdhanjet ndërkombëtare. Mbrojtja e Kosovës ashtë nji shembull ndriçues, të cilin na shqiptarët duhet të imitojmë. Arsim, tolerancë, solidaritet dhe forcim i traditave tona kombëtare: kjo ashtë nji pasuni kolektive që meriton përkrahjen tonë pa rezervime. Shqiptarët kanë nevojë për nji familjarizim me historinë intelektuale bashkëkohore, historinë e ideve, si dhe njohjen konkrete të ngjarjeve rreth nesh, ngjarjeve që jetojmë në të njajtën kohë. Kjo ashtë “hyrja në histori” që na duhet të ndërmarrim me nji mendje njikohësisht aktive dhe komunikative. Në 50 vjetet e ardhme, bota e qytetnueme do të dedikojë energjitë e veta në zbutjen e vorfënisë globale, në përparimin e arsimit global dhe në përmirësimin e shëndetit global, në mes tjerash. Shqiptaret duhet të jenë pjesë e kësaj beteje fisnike globale. Koncepti, tashma i tejkaluem i historisë si folklor, i herojve fals dhe i datave luftash shkatërrimtare duhet të zëvendësohet me arritjet tona të nalta të mendjes dhe punës njerëzore, me mirëkuptim të ndërsjellë të njerëzimit, me zhvillimin e matejshëm të vlerave morale e qytetare që ngrejnë peshën tonë si qenie njerëzore në nji shoqëni të qytetnueme. Na jemi bashkëkombësit e Nanës Tereza dhe nobelistit Ferid Murad…! Shqiptarët nuk duhet të kërkojnë përsëri metoda revolucionare që premtojnë gjithçka dhe ma në fund shkatërrojnë. Duhet thjeshtësisht t’i shpervjelemi punës për zgjidhjen e problemeve që përballojmë. Vetëm djersës i bie era ndershmëni. Duhet të edukojmë shqiptarët me pasë besim në vete, në nji të ardhme të ndritshme për ata. Në përfundim, na duhet nji arsim që frymëzon vlerësimin e lirisë, së vërtetës, drejtësisë, demokracisë, tolerancës dhe sidomos randësinë e vlerësimit të jetës njerëzore.Thomas Jefferson na tregon se ekziston nji “aristokraci natyrale: elementet me talent dhe virtyte” (“talent and virtue”). Nji aristokraci e këtill shqiptare ashtë e denjë për rolin që shqiptarët, kudo që janë, pritet të marrin përsipër gjatë shekullit 21. Në këtë përpjekje, Instituti Alb-Shkenca mund të shërbejë si katalizator.
"Panorama"
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





