Transmetuar më 08-04-2012, 15:30

Tiranë, 8 prill 2012, NOA – Lideri i opozitës Edi Rama ka ironizuar deklaratat e kryeministrit për arritjet e vendit në reformën në shëndetësi duke e cilësuar shëndetësinë në kushte tejet mjerane dhe “qamet i zi” për këdo që ka nevojë për të.

Në një koment të tij në blogun personal në Twitter, Kryetari i Partisë Socialiste evidenton se kryeministri nuk mund të përcjellë si arritje të shëndetësisë shqiptare vdekshmërinë foshnjore, kur sipas Ramës, vetë kryeministri e di se ka qenë e ulët.

“KM e di se vdekshmëria foshnjore ka qenë historikisht e ulët, kurse shëndetësia sot është qamet i zi për çdo shqiptar që ka nevojë për të!”, komenton kryesocialisti Rama, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Ky koment erdhi pas deklaratave të kryeministrit Sali Berisha gjatë mbledhjes së Task-Forcës për reformën në shëndetësi.

Shefi i ekzekutivit theksoi se përbën një arritje historike fakti që Shqipëria renditet tashmë në grupin e vendeve të zhvilluara sa i përket treguesve që përbëjnë shtyllat kryesore të sistemit shëndetësor të një vendi, siç janë vdekshmëria foshnjore apo ajo amtare apo vdekshmëria në tërësi e popullatës.

“Këto arritje duhet të jenë një frymëzim i ri i madh për të gjithë sistemin tonë, në mënyrë që ti përsosim shërbimin shëndetësor në të gjitha hallkat e tij, të mund të afrojmë një shërbim shëndetësor cilësor dhe natyrisht objektivat që duhet të ndjekë nuk janë më të thjeshta. E vërteta është që janë një sfidë e vërtetë”, u shpreh kryeministri.

Sipas tij vdekshmëria foshnjore në vend ka arritur të jetë njëshifrore.

"Shqipëria sot arriti të ketë vdekshmëri amtare në një nga nivelet më të ulëta, Shqipëria sot qëndron në krye të të gjithë vendeve ish komuniste për vdekshmërinë e të rriturve më të ulët. Ka një studim, i cili ka studiuar vdekshmërinë nga viti 70 deri në 2010. Ne jemi afër portugezëve. Natyrisht vendet perëndimore e kanë më të ulët, si vendet anëtare të BE, si Franca , Gjermania, etj e kanë më të ultin. Më të lartë e kanë vendet ish komuniste. Në grupin e vendeve ish komuniste Shqipëria ka më të ulëtin. E them këtë pavarësisht se rruga nuk është bulevard, por mundësitë janë shumë më të mëdha dhe ne kemi mundësi të zhvillojmë fuqishëm dhe në standardet më të mira çdo sektor, të investojmë në çdo degë dhe në çdo fushë, por ajo që është më kryesorja është të ruajmë eficencën”, nënvizoi kryeministri Berisha.

mit/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit