Transmetuar më 08-04-2012, 11:03

Nga Grid Rroji

Një nga zhvillimet më të dukshme politike në hapësirën shqiptare vitet e fundit është rizgjimi i kombëtarizmit si rrymë e fuqishme ideologjike, e cila arrin t’i bashkojë shqiptarët. Shembull i kësaj dukurie janë suksesi politik i Vetëvendosjes (VV) në Kosovë, interesi popullor për Aleancën Kuqezi (AK) në Shqipëri dhe gjallëria politike e partive shqiptare në Maqedoni, të cilat, për shkak të karakterit të mjedisit politik maqedon, veprojnë ekskluzivisht mbi baza etnike.  Më tej, mesazhi kombëtarist ka gjetur terren edhe më pjellor në radhët e brezit të profesionistëve të rinj në diasporë, të cilët e kanë përjetuar rëndësinë jetike të frymës kombëtare në suksesin e shteteve të zhvilluara ku jetojnë. Për shumë nga ata, kombëtarizmi si ideologji bazë për formimin e shtetit është hallka e munguar e tranzicionit shqiptar. AK-ja përfaqëson shpresën për ta mbushur më në fund këtë boshllëk. Mirëpo, ka një dallim thelbësor midis kombëtarizmit si një rrymë e konsoliduar ideologjike, e përqafuar në një mënyrë a një tjetër nga elita e të gjitha vendeve të zhvilluara, dhe retorikës populiste boshe, e cila nuk përmban një mesazh të qartë politik.  Retorika populiste, e painformuar nga koncepte të qarta, mund të çojë në keqpërdorimin e këtyre energjive pozitive mbarëkombëtare për interesa vetjake.  Në një intervistë në të përditshmen “TemA”, kryetari i AK-së, Kreshnik Spahiu, shpaloste një kornizë programatiko-ideologjike të partisë që përfaqëson. Opinioni publik ka pritshmërinë që të dëgjojë një vizion të qartë kombëtarist, me prioritete të mirëpërcaktuara dhe axhendë konkrete për ndërtimin e një shteti-komb të konsoliduar. Megjithatë, leximi i intervistës e lë vëzhguesin të turbulluar për shkak se, përtej retorikës, aty mungonte një vizion i qartë politik. Ndër pikëpyetjet që dalin, tri janë më themeloret: 1) Çfarë nënkupton z. Spahiu me kombëtarizëm dhe ku pozicionohet AK-ja në raport me rolin e kombit në ndërtimin e shtetit. 2) cilat janë kornizat politike ku do të mbështetet AK-ja dhe cili do të jetë arkitrau i veprimit të saj politik. 3) Cili është raporti i AK-së me parinë politike dhe ku e vendos ajo veten vis-à-vis klasës politike aktuale?  Për t’i marrë me radhë, ndër të tjera, z. Spahiu shprehej se “…nacionalizmi ynë nuk është nacionalizëm etnik dhe as fetar”. Është e kuptueshme që në kontekstin shqiptar kombëtarizmi nuk mund të ketë konture fetare sepse Shqipëria ka një traditë multi-konfesionale. Për rrjedhojë, feja nuk mund të luajë ndër shqiptarë rolin formësues të identitetit etiko-moralo-politik që luan, për shembull, në hapësirën judeo-kristiane. Nga vendet e rajonit, Serbia, Bullgaria dhe Greqia e bazojnë identitetin kombëtar tek ortodoksia, ndërsa Bosnjë-Hercegovina është e ndarë në tri njësi të përkufizuara qartazi nga identiteti fetar. Përkundër fqinjëve, kombi shqiptar është i vetmi në Ballkan që identifikohet me lidhje gjaku. Pra, në qoftë se Spahiu përjashton nga koncepti i tij lidhjen e gjakut, atëherë nuk është e qartë nëse ai bën fjalë për kombëtarizëm apo atdhedashuri. Ka një dallim të madh midis dy koncepteve. Ndërsa kombëtarizmi parashikon ndërtimin e një shteti të konsoliduar mbi baza kombëtare, atdhedashuria nënkupton promovimin e një shteti të fortë, cilado qoftë përbërja e tij. Ndër të tjera, deklarimi i Spahiut bie ndesh me një nga propozimet me të cilat ka fituar popullaritet AK-ja, bashkimin me Kosovën. Përsëri, nëse mohohet lidhja e  gjakut, nuk do të kishte shpjegim për nevojën e një bashkimi të tillë. Sikundër është e rëndësishme të qartësohet se cilat janë energjitë e reja që AK-ja do të mbledhë rreth vetes, me ç’mënyra do t’i tërheqë këto energji dhe çfarë ndryshimi konkret do t’u ofrojë qytetarëve. Nëse vizioni i z. Spahiu është shtet-ndërtues e jo me bazë kombëtare, nuk duket se prioritetet e tij ndryshojnë shumë nga çka parashtrojnë Berisha dhe Rama, apo edhe të gjitha forcat e tjera politike. Atëherë, pse duhet qytetari shqiptar t’i besojë z. Spahiu? Ndërsa jam i prirë të besoj se shkaku i kësaj kontradikte logjike është nxitimi dhe ngarkesa e madhe, është e domosdoshme që të sqarohet opinioni publik mbi botëkuptimin e AK-së për këtë çështje themelore. Së dyti, z. Spahiu deklaron se do të mbështetet te rinia. Mirëpo, rinia është brez e jo shtresë shoqërore. Për më tepër, të gjitha palët politike aktuale kanë forume rinore dhe deklarojnë, po ashtu, se mbështeten te rinia. Pra, z. Spahiu nuk e sqaron se cilat shtresa të shoqërisë kërkon të mobilizojë AK-ja për të realizuar projektin e saj kombëtarist. Gjithashtu, ende nuk është shpallur cili është vizioni i saj qeverisës dhe, ç’është më e rëndësishmja, si e koncepton ajo ndryshimin, si një fillim të pastër apo si rishpërndarje pushteti ku të përfaqësohet edhe ajo. Fillimi i pastër do të nënkuptonte synimin për të rrëzuar me votë sistemin aktual dhe ndërtuar një të ri mbi baza të ndryshme nga ai i tanishmi. Më anë tjetër, nëse synimi është rishpërndarja e pushtetit, kjo do të nënkuptonte dëshirën e saj për t’u përfshirë në proceset politike kështu siç janë të organizuara së tashmi. Thënë thjesht, është me shumë rëndësi të sqarohet nëse z. Spahiu e sheh veten si nismëtar i një fillimi të ri apo kërkon veç të përfshihet në skenën politike. Nga kjo do të varet shkalla e besueshmërisë së tij për ta realizuar projektin kombëtarist me mjete demokratike. Kjo më sjell te paqartësia e tretë. Megjithëse z. Spahiu nuk i ka kursyer kritikat për Sali Berishën dhe për Edi Ramën, është i paqartë pozicioni i tij vis-à-vis parisë aktuale politike. Nëse z. Spahiu është për një fillim të pastër, duhet qartësuar si mendon të veprojë me udhëheqësit aktualë partiakë, të cilët do të ruajnë mbështetjen e të paktën një pjese të militantëve dhe klikave klienteliste që përfaqësojnë. Ndërsa nëse përqafon opsionin e ndryshimit nëpërmjet vazhdimësisë, atij i duhet të shpjegojë se si do ta organizojë bashkëjetesën politike me ata që i ka quajtur “tradhtarë të kombit”. Por, më e rëndësishmja është se ku e sheh veten AK-ja si forcë politike dhe z. Spahiu si udhëheqës i saj në raport me forcat ekzistuese. Thënë thjesht, njerëzit duan të dinë nëse modeli i tanishëm politik është i pranueshëm për z. Spahiu apo jo. Pa një shtjellim të qartë të këtyre vizioneve, retorika kombëtariste boshësohet dhe tingëllon e zbrazët nga çdo kuptim politik i mirëfilltë. Ndoshta duhet pritur të dalë programi përfundimtar i majit, por nga çka është hedhur në shtyp deri tani, këto pyetje ende nuk e kanë marrë përgjigjen e AK-së dhe intervista e z. Spahiu nuk sjell asgjë të re në këtë drejtim. Të gjitha këto paqartësi u lënë shteg hienave politike dhe kozmopolitëve të frikësuar për të ngritur një mjegullnajë dyshimesh mbi platformën e AK-së. Në të njëjtën kohë, ato krijojnë ndjesinë e mungesës së seriozitetit te faktori ndërkombëtar, i cili po e vëzhgon me shumë vëmendje rrugëtimin e AK-së. Këtu vlen të theksohet se klasa politike aktuale ka përvojë të suksesshme në kompleksimin dhe kornizimin e kundërshtarit në pozicionime të palogjikshme dhe kundërshtore me anë të sulmeve mitraloz. Z. Spahiu nuk duhet të bjerë pre e lehtë e kësaj loje për ta vendosur me shpatulla për muri e për t’ia kufizuar hapësirën e veprimit politik. Më konkretisht, nuk mund të lejohen akuzat për turkoshakëri a çdo gjetje tjetër të tërheqin për hunde mesazhin politik nëpër qorrsokakë ideologjikë. Sikundër, paqartësia dhe amullia ideologjike nuk e lejojnë axhendën kombëtariste të veçohet nga forcat e tjera politike duke e shndërruar në një nga të shumtat. Shpresoj që z. Spahiu të ndërgjegjësohet se tashmë nuk përfaqëson vetëm ambicien e tij (legjitime në demokraci) për të hyrë në politikë, por një pikëpamje ideologjike me rrënjë të thella te shqiptarët si dhe shpresën e tyre për ndryshim real. Mirëpo, paqartësitë ideologjike dhe amullia në shprehjen e pozicionit politik kombëtarist nuk mund të kalohen me cektësi. Në gjykim të fundit, qartësia dhe gjenuiniteti i mesazhit që do të përcjellë AK-ja do të përcaktojnë jo vetëm fatin elektoral të skuadrës drejtuese, por edhe nëse ajo do të shndërrohet nga shpresa për një fillim të pastër në një nga devijimet e shumta të tranzicionit shqiptar.

Gazeta Panorama

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit