Transmetuar më 07-04-2012, 22:07

Tiranë, 7 prill 2012, NOA – Besimtarët katolikë shqiptarë, por edhe ata në botën katolike kremtojnë mesnatën e të shtunës e ndaj të gdhirë të së dielës Pashkën, Ringjalljen e Jezusit të Nazaretit, tri ditë pas vdekjes së tij i kryqëzuar, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Në katedralen katolike “Shën Pali” në Tiranë, besimtarët katolikë do të ndjekin meshën e shenjtë të Pashkës dhe ritet e ringjalljes së Krishtit.

Kjo është festa më e madhe e kalendarit liturgjik të Kishës Katolike dhe të kishave të tjera të krishtera, të cilat festojnë Ringjalljen e Jezusit, sikundër e tregon Besëlidhja e Re.

Imzot Rrok Mirdita, kryetari i Konferencës Ipeshkvnore uroi besimtarët katolikë për pashkën, duke nënvizuar se ato nuk i përkasin vetëm krishterimit.

“Pashkët nuk janë një ngjarje që i përkasin vetëm krishterimit, por një zbulim hyjnor që prek mbarë njerëzimin në thelbin e tij dhe hedh dritë mbi misterin e vdekjes. Kjo dritë është drita e dashurisë që shpëton. Për dashurinë e njerëzve Zoti është bërë njeri, për dashurinë dhe besnikërinë ndaj nesh ka vdekur në kryq. Pikërisht kjo dashuri besnike e ka mundur vdekjen me ringjalljen e Krishtit. Kush e ka kërkuar të ringjallurin ka njohur dashurinë që shpëton dhe ka themeluar jetën e vet mbi besimin në këtë dashuri”, theksoi Imzot Rrok Mirdita.

Edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi dërgoi një mesazh urimi ku bëri thirrje që kjo ditë të shërbejë për të reflektuar e përmirësuar vetveten, por dhe për të evidentuar më shumë vlerat e mëdha të bashkëjetesës fetare e shpirtërore të shqiptarëve!

“Dita e Pashkëve është ditë e shenjtë e ringjalljes së Krishtit, ditë e ringjalljes së shpirtit njerëzor dhe e ripërtëritjes së besimit tek Zoti! Nëpërmjet kësaj simbolike të mrekullueshme fetare të ringjalljes se jetës, në këtë vit shumë të rëndësishëm për Shqipërinë e për gjithë shqiptarët të festimit të 100-vjetorit të Pavarësisë, përfitoj nga rasti të uroj më shumë fat dhe begati për popullin shqiptar!”, u shpreh Presidenti Topi.

Pashkët e krishtera lidhen ngushtë me ato hebraiket, në të cilat festohet çlirimi i hebrenjve nga Egjipti, nën udhëheqjen e profetit Moisi.

Fjala Pashkë, do të thotë kalim, dhe për hebrenjtë është kalimi nga robëria në liri ndërsa për të krishterët nga vdekja trupore dhe frymore në Jetën e Re të Amshuar.

Pashkët paraprihen nga një kohë parapërgatitore e agjërimit dhe e përkorimit, që zgjat 40 ditë, që njihen si Kreshme.

Pas Pashkës katolike, besimtarët ortodoksë do të kremtojnë të dielën e ardhshme Pashkën sipas ritit ortodoks.

Një nga simbolet e Pashkës është edhe veza e kuqe, dhe e zbukuruar që shpërndahet nga besimtarët për të afërmit e tyre.

mit/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit