Transmetuar më 07-04-2012, 19:28

Janinë, 7 prill 2012, NOA – Një 24-vjeçar shqiptar u kap nga policia e Amfilohias teksa po transportonte një sasi të madhe droge që dyshohet si vinte nga Shqipëria, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

I riu shqiptar, inicialet e të cilit nuk bëhen të ditura për arsye hetimi ishte shofer i kamionit, në të cilin ndodhej dhe një bashkëpunëtor i tij grek.

Kamioni ishte i pajisur me targa bullgare dhe sapo ndeshi në postbllokun e policisë, në autostradën Janinë-Agrinio, tentoi të largohej pa iu bindur urdhrit për të ndaluar.

Pas kësaj policia greke nisi ndjekjen e kamionit ku ndodheshin i riu shqiptar dhe bashkëpunëtori i tij grek.

Por si pasojë e shpejtësisë së madhe drejtuesi i kamionit humbi kontrollin mbi automjetin, duke u përplasur me barrierat mbrojtëse të autostradës.

Pas kësaj dy të rinjtë tentuan të largohen me vrap, por vetëm njëri prej tyre arriti t’i shpëtojë policisë.

24-vjeçari shqiptar u arrestua në flagrancë dhe tashmë mbi të rëndon akuza e trafikimit të lëndëve narkotike.

Nga kontrolli i automjetit policia gjeti dhe sekuestroi 170 pako me kanabis sativa, me një peshë totale prej 180 kg, ndërsa sekuestroi edhe tre telefona celularë.

Pak orë më vonë në prangat e policisë greke ra edhe bashkëpunëtori grek i të riut shqiptar.

mit/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit