Transmetuar më 07-04-2012, 16:09

Tiranë, 7 prill 2012, NOA – Duke folur mbi çështjen e emërimeve në Flotën Detare, pjesë e një debati politik ditët e fundit, Ministri i Mbrojtjes Arben Imami deklaroi se një grup jashtë dhe brenda FA-ve dhe disa anëtarë të opozitës po e përdorin çështjen për të sulmuar reformat që po ndërmerren në FA.

Në një intervistë për ABC NEWS, ministri i Mbrojtjes bën me dije se “Këtu jemi përballë një përpjekjeje të një grupi të caktuar, qoftë brenda apo jashtë Forcave të Armatosura dhe një grupi deputetësh socialist për të sulmuar personalitete të caktuara në ushtrinë tonë dhe sidomos për të sulmuar qartazi reformat që po kryhen në FA. Megjithatë le të sqarojmë një herë faktin e mandej kontekstin. Para pak javësh kemi bërë emërimin e Kapitenit të Rangut të Parë, Ferdinand Kreshpani në krye të Forcës Detare. Unë nuk kam pasur asnjë lloj informacioni se mund të kishte diçka problematike në lidhje me këtë. Në fakt, në dy apo tre javë më parë kishim bërë edhe emërimin e një koloneli tjetër, kolonel Bardhyl Hoxhës, në krye të Brigadës Logjistike, dhe për analogji nuk mendova se do të ketë ndonjë problem”.

Sipas Imamit, presidenti i vendit emëron gjeneralët, por jo kolonelët, andaj ai mbrojti faktin se “Emërimi është bërë pikërisht duke u mbështetur në një precedent të viti 2008, kur ministri Fatmir Mediu i kishte propozuar Presidentit Topi emërimin e një koloneli si komandant i Forcës Ajrore, gjë që ishte refuzuar, për mendimin tim me të drejtë nga Presidenti Topi, kështu që kishin menduar se mund të vijonim me këtë emërim me urdhër ministri”.

Ministri Imami nënvizoi se pas paqartësive mbi termat e emërimit ai e revokoi urdhrin.

“Kemi marrë dhe masat për përgjegjësitë që kanë çuar në këtë gabim, le të themi në këtë gabim material gjë që mund të ndodhë. Por është e sigurt që nuk është punuar me vullnet të keq së pari, nuk është punuar në dijeni të ministrit së dyti, por përkundrazi është menduar se është zgjidhje më normale, për një zgjidhje anormale. Menjëherë mbas largimit, daljes në rezervë të disa gjeneralëve, ne kemi ngritur Komisionin e Karrierës për gradat e gjeneralëve të rinj, i cili duhet të kishte mbaruar punën në fakt që në fund të muajit të shkuar, por për arsye ngarkese nuk ka mbaruar dhe besoj se do të mbarojë brenda javës së ardhshme, gjeneralë të cilët do të duhet që me propozimin e ministrit t’i miratojë presidenti me dekret. Mandej, nga këta gjeneralë po ministri do t’i propozojë një gjeneral presidentit për ta emëruar në mënyrë definitive si komandant të Forcës Detare.

Ky ishte një veprim krejtësisht i përkohshëm, i perceptuar si i tillë, dhe nuk nënkuptonte në asnjë rast marrjen e asnjë lloj kompetence. Ministri i Mbrojtjes ka aq shumë kompetenca sa nuk ka nevojë të marrë të tjera, aq më tepër të dikujt tjetër. Nga ana tjetër për çdo emërim që bën presidenti i Republikës, është ministri ai që propozon. Në këtë mënyrë, në qoftë se do të kryhej nëpërmjet një propozimi, do ta kisha çuar këtë propozim, por nuk më thanë, për shkakun se kemi një precedent si ai i vitit 2008, që përmenda pak më parë”, theksoi Imami.

Imami theksoi se marrëdhëniet e tij me Presidentin kanë qenë korrekte, dhe anasjelltas.

“Më kërkoi me të drejtë sqarim. Sot në mëngjes mora kërkesën, e cila ishte krejtësisht etike për më tepër dhe i ktheva një përgjigje që ishte zyrtare dhe që faktikisht qëndronte. Por, e gjithë çështja qëndron me Flotën tonë Detare. Këtu më lejoni të shpjegoj me dy fjalë sesi është problemi. Ne jemi në një proces ristrukturimi. Shtabi i Përgjithshëm po kryen një proces ristrukturimi për të gjithë Forcën e Armatosur. Të gjithë vendet e tjera e kanë kryer, padyshim edhe ne do ta kryejmë. Gjithkush duhet ta ketë të qartë se ne do ta kryejmë këtë reformë. Unë nuk tërhiqem nga kjo reformë”, tha Imami.

 

Zoti Imami, le të flasim për emërimet në Flotën Detare. Ju sot e keni revokuar urdhërin. Na e shpjegoni më gjerësisht këtë çështje?

A.Imami: Këtu jemi përballë një përpjekjeje të një grupi të caktuar, qoftë brenda apo jashtë Forcave të Armatosura dhe një grupi deputetësh socialist për të sulmuar personalitete të caktuara në ushtrinë tonë dhe sidomos për të sulmuar qartazi reformat që po kryhen në FA. Megjithatë le të sqarojmë një herë faktin e mandej kontekstin. Para pak javësh kemi bërë emërimin e Kapitenit të Rangut të Parë, Ferdinand Kreshpani në krye të Forcës Detare. Unë nuk kam pasur asnjë lloj informacioni se mund të kishte diçka problematike në lidhje me këtë. Në fakt, në dy apo tre javë më parë kishim bërë edhe emërimin e një koloneli tjetër, kolonel Bardhyl Hoxhës, në krye të Brigadës Logjistike, dhe për analogji nuk mendova se do të ketë ndonjë problem.

Megjithëse ishit në dijeni të faktit që propozimet tuaja, në këto lloj emërimesh do të kërkonin një dekret presidenti?

A.Imami: Jo, sepse ne jemi në një situatë ligjore pak të veçantë lidhur me  faktin që presidenti i vendit emëron gjeneralët, por jo kolonelët. Emërimi është bërë pikërisht duke u mbështetur në një precedent të viti 2008, kur ministri Fatmir Mediu i kishte propozuar Presidentit Topi emërimin e një koloneli si komandant i Forcës Ajrore, gjë që ishte refuzuar, për mendimin tim me të drejtë nga Presidenti Topi, kështu që kishin menduar se mund të vijonim me këtë emërim me urdhër ministri.

Në fakt nuk kam patur mundësi gjatë dy ditëve të fundit për t’u paraqitur në punë. Sot në mëngjes vajta me mendimin se duhet të ketë një keqkuptim ose paqartësi lidhur me termat e emërimit apo të komandimit dhe pasi më parashtruan faktet për disa precedentë për  të cilat nuk isha i njohur më parë, arrita në konkluzionin se rruga më e mirë dhe më e drejtë në rrethanat e krijuara ishte revokimi i atij urdhri.

Tashmë është zyrtare, është revokuar vendimi për kreun e FD, Kreshnik Kreshpani?

A. Imami: Po. Kemi marrë dhe masat për përgjegjësitë që kanë çuar në këtë gabim, le të themi në këtë gabim material gjë që mund të ndodhë. Por është e sigurt që nuk është punuar me vullnet të keq së pari, nuk është punuar në dijeni të ministrit së dyti, por përkundrazi është menduar se është zgjidhje më normale, për një zgjidhje anormale. Menjëherë mbas largimit, daljes në rezervë të disa gjeneralëve, ne kemi ngritur Komisionin e Karrierës për gradat e gjeneralëve të rinj, i cili duhet të kishte mbaruar punën në fakt që në fund të muajit të shkuar, por për arsye ngarkese nuk ka mbaruar dhe besoj se do të mbarojë brenda javës së ardhshme, gjeneralë të cilët do të duhet që me propozimin e ministrit t’i miratojë presidenti me dekret. Mandej, nga këta gjeneralë po ministri do t’i propozojë një gjeneral presidentit për ta emëruar në mënyrë definitive si komandant të Forcës Detare.

Ky ishte një veprim krejtësisht i përkohshëm, i perceptuar si i tillë, dhe nuk nënkuptonte në asnjë rast marrjen e asnjë lloj kompetence. Ministri i Mbrojtjes ka aq shumë kompetenca sa nuk ka nevojë të marrë të tjera, aq më tepër të dikujt tjetër. Nga ana tjetër për çdo emërim që bën presidenti i Republikës, është ministri ai që propozon. Në këtë mënyrë, në qoftë se do të kryhej nëpërmjet një propozimi, do ta kisha çuar këtë propozim, por nuk më thanë, për shkakun se kemi një precedent si ai i vitit 2008, që përmenda pak më parë.

Nga ana tjetër nuk ka pasur qëllim të keq sepse po të kisha pasur qëllim të keq do ta kisha vendosur zv/komandant dhe nuk do të hapja garën për gjeneralë. Do t’a shtyja çështjen e gjeneralit deri kur të doja, sepse këtu qëndron edhe një boshllëk ligjor që do të na duhet mesa duket që ta zgjidhim. Sepse kur kemi një vend bosh, kur kemi një vend vakant në një nga këto tre forca, sepse për katër komandat e tjera kjo është e zgjidhur pasi ministri mund të veprojë. Atëherë kush është qëllimkeq, vepron komplet ndryshe dhe nuk vepron në këtë mënyrë.

Ajo që duhet bërë është të gjejmë një zgjidhje që t’i detyrojë palët që kur nuk ka një gjeneral të përshtatshëm për t’u vendosur në krye të njërës prej këtyre Forcave të gjendet një mënyrë komandimi i përkohshëm, me detyrimin për tre muaj që ministri të ngrejë komisionin e karrierës që të zgjedh një gjeneral në kohën më të shpejtë të mundshme. Kjo është një çështje thjesht procedurale.

Përderisa keni emëruar një Kapiten te Rangut te Parë, do të thotë se ju nuk keni një kundëradmiral në dispozicion për ta emëruar në këtë funksion. Perse ka ndodhur kjo?

A. Imami: Problemi qëndron në faktin se ishte bllokuar procesi i karrierës. Problemi ka nisur disa vite më parë, pasi ishte bllokuar procesi i gradimit të oficerëve të rinj dhe kjo është një nga arsyet e frymëzimeve që vijnë nga Partia Socialiste, sepse unë u detyrova, sigurisht mbasi gjeneralë të caktuar kishin 10 vjet që rrinin me të njëjtën gradë, ose kishin kaluar afatet ligjore të dy gradave, i nxora në rezervë me mendimin që e kishin kryer detyrën e tyre dhe t’i falënderoja për punën, u ngritën dhe thonë pse largohen nga detyra.

Opozita shkon edhe më tej duke ngritur akuzat se çështja ka problem institucional, gjë që na çon në mendje vështirësinë midis presidentit dhe qeverisë.?

A.Imami: Opozita ka punën e saj. Marrëdhëniet e mia si Ministër i Mbrojtjes me Presidentin kanë qenë korrekte, dhe anasjelltas. Më kërkoi me të drejtë sqarim. Sot në mëngjes mora kërkesën, e cila ishte krejtësisht etike për më tepër dhe i ktheva një përgjigje që ishte zyrtare dhe që faktikisht qëndronte. Por, e gjithë çështja qëndron me Flotën tonë Detare. Këtu më lejoni të shpjegoj me dy fjalë sesi është problemi. Ne jemi në një proces ristrukturimi. Shtabi i Përgjithshëm po kryen një proces ristrukturimi për të gjithë Forcën e Armatosur. Të gjithë vendet e tjera e kanë kryer, padyshim edhe ne do ta kryejmë. Gjithkush duhet ta ketë të qartë se ne do ta kryejmë këtë reformë. Unë nuk tërhiqem nga kjo reformë. E them sepse janë bërë të gjitha përpjekjet e mundshme për ta dëmtuar dhe për ta penguar këtë reformë. Është një reformë që e kam nisur që në janar të vitit të shkuar, dhe nuk po e mbyll dot pikërisht për shkak të rezistencës, që normalisht shfaqin të gjitha llojet e strukturave, siç janë ato të ushtarakëve, të gjyqtarëve, e të tjerë me radhë. Qëllimi i gjithë reformës është balancimi i resurseve me nevojat. Pra kemi kaq para për kaq nevoja. Ne po mbajmë të njëjtin nivel misioni që kemi për Flotën tonë Detare, duke e ngjeshur, duke krijuar një piramidë më të mirë dhe për të ruajtur sa më mirë operacionet dhe misionin e saj. Para një jave lexova një përmbledhje të reformës dhe ristrukturimit që po bën ushtria italiane. Thashë ta marr, ta përkthej dhe ta nxjerr si timen sepse kishte thuajse të njëjtat gjëra me reformat tona. Ato kishin shkurtuar 20% të efektivëve të tyre, ne nuk i shkurtojmë dot 20%. Shkurtojnë dukshëm gradat e larta, sepse janë palosur një mbi një dhe nuk rrisin, por përkundrazi ulin operacionalitetin dhe rrisin koston. Në vend që paratë të harxhohen për operacione, për produkte, harxhohen për veshje, ushqim dhe paga.

Pra reforma është e orientuar drejt efikasitetit?

A.Imami: Sigurisht. Ne kemi një vijë detare relativisht të shkurtër pasi jemi një vend i vogël. Kemi një flotilje në Vlorë, kemi një të tillë edhe në Durrës. Kur flas për flotilje është si të thuash një batalion këtu, një batalion atje, po ta themi në termat e këmbësorisë që një qytetar i thjeshtë ta kuptoj më mirë. Kjo do të thotë që këtu ka një batalion, por një batalion nuk ka vetëm ushtarë dhe forca operacionale, në batalion janë të gjithë oficerët, janë dy palë shtabe etj etj. Ne kemi konsulencën e një kompania amerikane e cila paguhet nga Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së dhe bashkërisht po bëjmë një reformë për ta ngjeshur këtë strukturë të ekzagjeruar me qëllim rritjen e operacionalitetit.

Të ndalojmë një moment, opozita mendon që nga ky lloj reformimi, pjesa detare që nga veriu deri në Shqipërinë e Mesme, mbetet e pambuluar. Pra a duhet të dalë Bisht-Palla nga administrimi i tyre?

A. Imami: Kjo s’ka lidhje me çështjen, sepse komandën unë mund t’a vendos edhe në Durrës edhe në Vlorë dhe është e njëjta gjë. Nuk ka të bëjë vendndodhja e Komandës. Unë po them që do të ketë vetëm një Flotë të vetme në kuptimin që do të ketë një shtab dhe kjo nuk ka lidhje me anijet, përkundrazi. Me planin e ri do të kemi 5 vend-bazime të anijeve: një në Shëngjin, një në Bisht-Pallë, në Vlorë, Porto-Palermo dhe në Sarandë, por ky vend-bazim i anijeve nuk ka lidhje se ku është komanda, pasi komandimi sot është krejtësisht normal dhe i lehtë për shkak të teknologjisë. Pra, këtu po rezistohet, sepse është e kuptueshme që ka interesa që të pengohet sa më shumë kjo ngjeshje e piramidës që ne duam të bëjmë.

Interesa përbrenda sistemit?

A. Imami: Këto janë interesa nga brenda sistemit. Këto interesa deri dje në mënyrë shumë negative i ka përfaqësuar ish-komandanti i Flotës Detare, i cili ishte një ushtarak i vjetruar nga pikëpamja doktrinore dhe që vazhdonte të mendonte me logjikën e Luftës së Ftohtë. Ishte një ushtarak i cili vazhdonte me idenë e mbrojtjes frontale në rast të një agresioni, kur Shqipëria sot është një vend anëtar i NATO-s dhe i gjithë konteksti i sigurisë është krejtësisht i ndryshëm. Ne jetojmë në një mjedis sigurie maksimal sot.

Megjithatë përpos kësaj, një çështje tjetër me rëndësi është se po shiten asete.

A. Imami: Kalojmë tek kjo çështje e cila është e kaq keqpërfolur. Së pari, e kam deklaruar dhe po e ri deklaroj që baza e Bisht Pallës do të mbetet në pronat e Forcave të Armatosura. Nuk është menduar ndonjëherë që do të dalë jashtë planit të përhapjes dhe nuk ka për të dalë, por nuk do të ketë një shtab, por do të ketë një garnizon që të kryejë ato shërbime që duhen në mënyrë që vitin tjetër, maksimumi në vitin 2014, ta rithellojmë portin që ta bëjmë të përdorshëm për të hyrë e për të dalë anijet tona. Mirëpo ka pasur në mënyrë të çuditshme një ide që duan të nxjerrin bazën e Bisht Pallës jashtë planit të përhapjes, dhe ky është asosacioni i parë që i shkon ndër mend një socialisti.

Një opozitari?

A.Imami: Jo, një opozitari, një socialisti. Nuk mendon për reformë, por mendon çfarë rrjedh nga reforma. Sigurisht që ne kemi një reformë e cila thotë që 1200 prona që kemi do të shkojnë në 200-250 prona. Ne nuk kemi përse ti mbajmë ato prona dhe nuk do të mbajmë ushtarët tanë për t’i ruajtur ato prona dhe të harxhojmë paratë e popullit shqiptarë, për t’i ruajtur ato prona të cilat nuk na duhen më, por do t’i jepen tregut sipas të gjitha procedurave të shtetit. Ata bërtasin dhe shqetësohen nga privati. Po, sigurisht që do t’i blej privati, sepse kjo pronë nuk është pronë e oficerëve të Shqipërisë, sigurisht që nuk janë as pronë e politikanëve, ato janë prona të popullit shqiptarë që duhen përdoruar me sa më tepër efektivitet për të cilat duhet harxhuar minimalisht për të marrë maksimalisht prej tyre.

Z. Imami duhet më shumë transparencë për të bindur për pronat?

A. Imami: Kjo është një transparencë maksimale. Ka qenë maksimale për të gjitha pronat. Këtu nuk është çështje pronash. Partia Socialiste nuk është se nuk  kupton, nuk do të kuptojë se këto janë gjëra të kuptueshme. Janë thënë me dhjetëra herë. Ne e kemi publikuar dhe bërë shumë transparente të gjithë listën e pronave që janë jashtë nevojave tona. Dhe kjo është një reformë që do të bëhet sepse e kanë bërë të gjithë vendet para nesh.

Kjo është edhe në kuadër edhe të angazhimeve si pjesë e Aleancës së Atlantikut Verior?

A. Imami: Sigurisht. Kur ne flasim për një transformim, kur flasim për një balancë të resurseve me nevojat, kur flasim për mbrojtje inteligjente, ne flasim pikërisht për këtë gjë.

Ish-kreu i FD dhe dy gjeneralë të tjerë janë shkarkuar nga detyra, shkarkim i cili u dyshua nga opozita se ka lidhje me marrëveshjen e vijës bregdetare dhe se madje origjina e kësaj reforme është e lidhur ngushtë me këtë marrëveshje?  

A.Imami: Çështja e marrëveshjes nuk është çështje e Ministrisë së Mbrojtjes. Kjo është një çështje e Ministrisë së Jashtme dhe është trajtuar prej saj. Ne si ministri kemi dhënë të gjithë ekspertizën tonë dhe unë e kam vërejtje negative. Shpresoj që të arrihet një marrëveshje edhe më e mirë, nëse mund të arrihet.

A donit ta përjashtoni ish-komandantin e Flotës Detare nga marrëveshja?

A.Imami: Nuk ka qenë ky person në marrëveshje. Nuk ka lidhje kjo çështje me marrëveshjen e ujërave. Nuk ka asnjë pikë kontakti mes kësaj çështje dhe çështjes së marrëveshjes për kufirin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit