Transmetuar më 07-04-2012, 13:17

Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit është përfshirë në një debat me televizionin Top Channel, lidhur me një sondazh që sipas TCH është shpallur në faqen e internetit të KKRT ku kërkohet opinionin i qytetarëve lidhur me 5 emisione ku kërkohet mendimi nëse shkelet etika.

KKRT ka një Këshill Etike i cili përbëhet nga tre vetë, Prof/Asoc. Dhurata Shehri,

Prof/Asoc. Bashkim Gjergji dhe Lutfi Dervishi.

Në fakt ky sondazh aktualisht nuk gjendet në faqen e KKRT. Gjithsesi debati është ashpërsuar duke detyruar dhe kryetaren e KKRT, Endira Bushati të dalë me një qëndrim.

Më poshtë ndiqni, deklarime të TCH dhe KKRT.

TCH: Këshilli i Etikës jashtë loje

Këshilli Kombëtar i Radio Televizionit ka ndërmarrë një sondazh në ëebsite-n e tij, duke ftuar përmes të gjitha formave, qytetarë të ndryshëm të shprehin mendimet e tyre, nëse pesë emisione të paracaktuara nga KKRT–ja, e shkelin ose jo etikën. Duke dalë jashtë funksionit të saj, në mënyre duket të qëllimtë, KKRT-ja ka paragjykuar pesë emisione duke orientuar votuesit të zgjedhin njërin prej tyre. Në sondazh janë përfshirë emisionet "Portokalli", "Big Brother", "Zonë e Lirë", "Aldo Morning Shoë" dhe "2XL". Anëtari i KKRT-së, juristi Gent Ibrahimi i kontaktuar nga Top Channel thote se gjykimi nëse një emision shkel ose jo etikën është në funksion ligjor të Këshillit të Etikës pranë KKRT-së dhe nuk ka asnjë arsye përse të jetë pjesë e opinionit publik. "Nëse Këshilli i Etikës gjykon se është shkelur etika, ai ndërmerr një vendim zyrtar", përfundon Ibrahimi. Publicisti Dritan Hila, mendon se KKRT-ja ka paragjykuar televizionin Top Channel duke futur ne listen e ketij sondazhi dy emisione, qe kanë shikueshmeri shumë të lartë e që pasqyrojnë realitetin shqiptar. "Etika, si pjesë e estetikës është një çështje që është në evoluim e sipër. Ndryshe e kemi konceptin ne që jemi qytetarë, ndryshe e ka një njeri tjetër, i cili vjen nga zonat rurale. Prandaj them që është një gjë shumë e vështirë për t’u cilësuar nga këta njerëz, nëse Top Channel ka apo nuk ka shkelje të etikës. Po marr dy programet, për të cilat është bërë kritika. Marrim "Big Brother". Eshtë nje ‘reality shoë’. Në të njëjtin format shfaqet edhe në vendet më të qytetëruara. Do të bëjmë konkurrencë ky Komision Etike, ndaj standardeve që ka Italia, Anglia, SHBA? Kalojmë te emisioni tjetër "Portokalli", që është më i ndjekuri sot në Shqipëri. Eshtë opozita e vetme qytetare ndaj pushtetit", tha Hila. Këshilli Kombëtar i Radiotelevizonit ka nje Keshill Etike, i cili ka kompetencen dhe detyren per ta gjykuar nese nje televizion, permes emisioneve te tij ka shkelur ose jo etikën. Nëse konstatohen shkelje, ai ka përgjegjësinë të lajmërojë zyrtarisht televizionin për këto shkelje dhe për marrjen e masave. Eshtë për t’u nënvizuar se pranë KKRT-së funksionon një Keshill Etike, i përbere nga tre anëtarë, qe është i vetmi qe ka per detyre te vleresoje shkeljet e thyerjes se etikes. Këshilli i Etikës është mbledhur vetëm dy here dhe te cilit i eshte kerkuar mendim vetem per nje spot publicitar gati dy muaj me pare. Pra,nuk ka patur asnje vendim për asnjë nga pesë emisionet e listuara. Prandaj edhe ky sondazh i shpallur ne faqen e KKRT-së, duket si iniciativë personale e vonuar, me qëllimin e vetëm për të gjetur qoftë edhe një shkak për të vërtetuar deklaratat e javëve të kaluara të kryetares së KKRT-së Endira Bushati, deklarata që cënuan rëndë imazhin në këtë rast të televizionit Top Channel, pasi asnjë ankesë nuk ishte depozituar me shkrim për të dhe për të cilat zonja Bushati është kritikuar ashpër nga deputetët, mediat dhe opinioni publik për mungesën e profesionalitetit në raportimet e saj publike. "Eshtë aq i besueshëm sa ç’janë sondazhet që bëhen në faqet e gazetës ‘Zëri i Popullit’ dhe ‘Rilindjes Demokratike’, kur dihet që është një votues, një lexues i caktuar, i cili shkon në këto faqe. Dhe në rastin e KKRT-së mua më duket shumë e pabesueshme, që ky lloj institucioni të nxjerrë statistika, të cilat mund të penalizojnë një televizion, sic është Televizioni Top Channel", thotë Hila. Keto veprime, si sondazhi ne fjale me emisione te paracaktuara nga kryetarja e KKRT-se po tregojne edhe se KKRT nuk po vepron si nje institucion qe bazohet ne rregulla dhe funksione, por si nje ndërmarrje private, duke cenuar rende imazhin e emisioneve dhe te mediave.

Reagon KKRT

KKRT, lidhur me një koment të transmetuar nga televizioni “Top Channel” në edicionin e lajmeve të orës 15.00, të datës 5 prill 2012, sqaron se:

Sondazhi i vendosur në faqen zyrtare të internetit të KKRT-së, nuk ka qëllim të diskriminojë ndonjë emision apo kanal televiziv të veçantë. Arsyeja e zhvillimit të këtij sondazhi, është për të njohur përfshirjen publike në debatin për etikën. Rezultatet e këtij sondazhi nuk përbëjnë bazë ligjore për të ndërmarrë masa administrative ndaj ndonjë programi, apo televizioni. Sondazhi është projektuar: një votë nga një kompjuter (IP), por një ditë më parë ai është sulmuar nga piratë të informatikës (hackera), ndaj për të ruajtur vërtetësinë e të dhënave, është vendosur që të mbyllet përkohësisht.

Në shekullin e 21-të e konsiderojmë të tejkaluar privimin nga lehtësitë e teknologjisë, për të mbërritur tek opinioni i qytetarëve, mënyrë komunikimi kjo e shumë institucioneve publike e jopublike, vendase apo të huaja. KKRT-ja planifikon të zhvillojë edhe sondazhe të tjera në interes të funksioneve të tij, duke shfrytëzuar edhe rrjetet sociale. Gjithashtu KKRT-ja parashikon të nisë së shpejti një sondazh, kryesisht me të rinjtë, e shkollave nëntëvjeçare, të mesme dhe të larta, kryesisht për problemet e etikës.

Përveç televizionit “Top Channel” nuk ka pasur asnjë shqetësim, apo ankesë nga televizione të tjera, emisionet e të cilave kanë qenë përfshirë në këtë sondazh. Arsyet e përfshirjes së pesë emisioneve në sondazhin e KKRT-së, lidhen pikërisht me faktin se janë ndër më të shikuarat dhe nuk ka kurrfarë diskriminimi, apo tendence, siç pretendohet në lajmin e  televizionit “Top Channel”. Përkundrazi çdo interpretim tjetër ndaj këtij sondazhi, është fryt i fantazisë të atyre që e bëjnë.

Për sa i përket (KA) Këshillit të Ankesave pranë KKRT-së (pra jo Këshilli i Etikës, siç citohet në komentin e  televizionit “Top Channel”), sqarojmë se sipas nenit 18 të ligjit nr. 8410, nr. 8410, datë 30.09.1998 “Për radion dhe televizionin publik e privat në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, ky Këshill është një organizëm këshillimor pranë KKRT-së. Rrjedhimisht nuk mund të nisë asnjë procedurë administrative për shkelje etike ndaj operatorëve radiotelevizivë.  Këshilli i ri i Ankesave, ka vetëm dy muaj që ka filluar funksionimin dhe gjatë kësaj periudhe të shkurtër, ka shqyrtuar vetëm një ankesë. Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit në strukturën e tij, ka një Drejtori Programacioni që bën vizionimin e transmetimeve radiotelevizive, detyrë funksionale e të cilës janë edhe: kryerja e anketimeve (siç edhe ka ndodhur në rastin konkret), vëzhgimi i rasteve të shkeljeve të etikës dhe më pas propozimi i masave përkatëse.

KKRT konstaton se nevoja për të saktësuar e sqaruar deformime të fakteve, të bëra në mënyrë të përsëritur në edicionet e lajmeve të televizionit “Top Channel”, tregon në rastin më të mirë për njëanshmëri.

KKRT duke kërkuar pasqyrimin e saktë dhe të plotë të këtij njoftimi, i kujton gjithë operatorëve radiotelevizivë se deformimet e qëllimshme, që synojnë të ushtrojnë presion ndaj institucionit rregullator, nuk i shërbejnë informimit të paanshëm dhe profesional të publikut.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit