




Uashington, 5 prill 2012, NOA- Në kuadër të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi u prit në takim nga zëvendëspresidenti i SHBA-ve, Joseph Bajden.
Gjatë takimit Bajden rikonfirmoi mbështetjen e fuqishme dhe të gjithanshme të SHBA-ve për Kosovën.
Siç raporton noa.al, zëvendëspresidenti Bajden ka vlerësuar lartë solin e Kryeministrit Thaçi në procesin e shtetndërtimit dhe integrimit të Kosovës në institucionet euroatlantike.
Sakaq Thaçi e njoftoi Bajden lidhur me zhvillimet aktuale në Republikën e Kosovës, ndërsa shprehu mirënjohjen e lartë për Zëvendëspresidentin Bajden për rolin vendimtar që SHBA-të kanë pasur në relacion me të gjitha proceset historike, që ndërlidhen me Kosovën, duke përfshirë edhe marrëveshjet e fundit mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri Thaçi kërkoi nga Zëvendëspresidenti Bajden që SHBA-të të vazhdojnë të luajnë këtë rol vendimtar dhe të mbesin promotorë të proceseve integruese për Kosovën në strukturat euro-atlantike.
Nga ana e tij Bajden e siguroi Kryeministrin Hashim Thaçi se SHBA-të do të vazhdojnë të mbesin thellësisht të angazhuara në Kosovë dhe do kërkojnë implementimin e marrëveshjeve të arritura.
Zëvendëspresidenti amerikan Bajden i dha mbështetje të plotë Kryeministrit Thaçi që të vazhdojë të mbajë udhëheqjen e Kosovës në kursin e duhur, ashtu siç ka bëre deri tani, dhe e siguroi që përkrahja e SHBA-ve do të jetë e vazhdueshme dhe e gjithanshme.
Bajden gjithashtu theksoi përsëri se SHBA-të janë të palëkundura në mbështetje të plotë të tërësisë territoriale dhe sovranitetit shtetëror të Republikës së Kosovës.
a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





