Transmetuar më 05-04-2012, 18:40

Prishtinë, 5 prill 2012, NOA- Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ditën e sotme lidhur me seancën e Kuvendit, duke e komentuar se ishte vazhdimësi e asaj që u ndërpre javën e kaluar.

“Përderisa në seancën e ndërprerë javën e kaluar u fut në rend të ditës në kundërshtim me procedurat një projektligj, ai për Bankat dhe institucionet mikrofinanciare, (i cili u hoq nga rendi i ditës) sot u futën edhe dy të tjerë, projektligji për ndërtimet dhe projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për ndërmarrjet publike. Këto 3 projektligje, por veçanërisht ai për ndërtimet si dhe ligji për bankat dhe institucionet mikrofinanciare, janë tejet të dëmshme për interesin e Kosovës si shtet, si dhe për qytetarët e Kosovës”, shprehet Vetëvendosje, raporton noa.al.

Sipas kësaj lëvizje thuhet se për shkak se të dyja këto, në mënyrën më të keqe të mundshme, synojnë t’i legalizojnë dy veprimtari tejet të dëmshme për interesin publik, por jashtëzakonisht fitimprurëse për interesin partikular e grupor të personave të përfshirë në të: veprimtarinë kredidhënëse të institucioneve mikrofinanciare dhe atë të ndërtimit të egër nëpër qytetet e vendbanimet e Kosovës.

Sqarohet se bojkotimi i seancës nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ishte bojkot parimor i cili kundërshton imponimin e ligjeve të dëmshme në Kuvend.

“Ajo çfarë ndodhi sot në Kuvend është pikërisht e kundërta e një Kuvendi të tillë të Republikës. Sot, Kuvendi ra pre e imponimit, me ç’rast vendimi për futjen e ligjit për ndërtimet realisht u mor në zyrën e kryetarit në takim me dyer të mbyllura dhe pastaj u formalizua në seancë. Ne nuk e pranojmë një mënyrë të tillë të punës në Kuvend, sepse besojmë se deputeti, dhe shteti, duhet të ndërtohen në bazë të dinjitetit politik, të sovranitetit popullor, dhe të integritetit personal të zyrtarëve. Sot, Kuvendi nuk vendosi vet dhe për Kosovën; sot u vendos për Kuvendin dhe në dëm të Kosovës”, theksoi Vetëvendosje në qëndrimin e saj.

a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit