
Tiranë, 5 prill 2012, NOA- Në ditën ndërkombëtare të komunitetit rom, kreu i prezencës së OSBE-së në vendin tonë Eugen Wollfarth u shpreh se arsimi është një instrument për të ndryshuar të ardhmen e komunitetit rom.
“Përmes shkollimit të mirë fëmijët romë do të kenë mundësi më të mëdha për të hyrë në botën e të rriturve me shanse të barabarta në shoqëri. Arsimi do të shërbejë për t’i hapur rrugën qasjes më të mirë në punësim, si dhe angazhimit të plotë në jetën qytetare dhe atë politike”, u shpreh Wollfarth, raporton noa.al.
Më tej ai theksoi se ndjekja e shkollës nga ana e fëmijëve romë së bashku me nxënësit e tjerë shqiptarë duhet të jetë në krye të një qëndrimi të integruar për të ndihmuar zhvillimin e këtij komuniteti.
Wollfarth konstatoi se përqindja e lartë e braktisjes së shkollës nga ana e fëmijëve romë mbetet një shqetësim i madh sepse ka të bëjë me mbrojtjen e të drejtave arsimore të romëve.
Sipas tij, nevojitet zbatimi i plotë i Strategjisë Kombëtare për përmirësimin e kushteve të jetesës së minoritetit rom, si dhe i angazhimeve të Shqipërisë në kuadrin e Dekadës së Romëve, ndërkohë që duhen zhvilluar më tej mekanizmat ekzistues, duke përfshirë këtu nismat qeveritare për pajisjen e fëmijëve romë me libra falas.
Sakaq Wollfarth u bëri apel prindërve rom që të jenë plotësisht të vetëdijshëm për rëndësinë dhe vlerën e shkollimit.
Me qëllim që t’i jepet zgjidhje kësaj çështjeje, prezenca e OSBE-së, ka financuar disa projekte në rajone të ndryshme të vendit me synimin për t’i pajisur fëmijët romë me materiale shkollore, të cilat përfshijnë ndër të tjera libra dhe kompjuterë.
a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





