Transmetuar më 05-04-2012, 11:22

Tiranë, 5 prill 2012, NOA – Edhe pse ishte në rend të ditës për t’u shqyrtuar në Kuvend është shtyrë për javën e ardhshme diskutimin e kandidaturës së Elvis Cefës, si anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Ishte Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, e cila në hyrje të seancës plenare të Kuvendit ka bërë me dije se plotësimi i vendit vakant në KLD do të kalojë për të enjten e ardhshme.

Kandidatura e Elvis Cefës, aktualisht kryetar i AKKP-së (Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave u propozua nga Partia Demokratike për të zëvendësuar vendin e mbetur vakant në KLD pas dorëheqjes së Kreshnik Spahiut.

Opozita e ka kundërshtuar këtë kandidaturë duke e cilësuar të papranueshme dhe të pakualifikuar për këtë post të rëndësishëm.

Për këtë arsye kandidatura e Cefës u miratua një ditë më parë në Komisionin e Ligjeve vetëm me votat e mazhorancës.

Deputetët socialistë propozuan një tjetër emër për këtë post në KLD, prokurorin Ardian Visha, e cila pritet të shqyrtohet në Komisionin e Ligjeve.

Ndërkohë Kuvendi ka nisur diskutimet për projektligjin “Për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor”, i përcjellë nga qeveria për në Kuvend javët e fundit.

Ministri i Bujqësisë Genc Ruli theksoi se ky ligj ndihmon për zhvillimin e bujqësisë në vend, por nuk zgjidh gjithçka.

Sipas ministrit Ruli bujqësia ka probleme të mëdha dhe është e ekspozuar ndaj çmimeve të rritura të naftës sikurse bujqësia e të gjitha vendeve në kushtet e krizës globale.

Në rendin e ditës janë këto projektligje:

1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare.

2. Miratimi i kalendarit 3  javor te punimeve te Kuvendit 9-27 prill 2012.

3. Projektligj “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën Ndërkombëtare “Për thjeshtimin dhe harmonizimin e procedurave doganore”, bërë në KYOTO, më 18 maj 1973 (e ndryshuar)”. 4. Projektligj “Për shëndetin mendor”. (vazhdon shqyrtimi në komisione)

5. Projektligj “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9887, datë 10.3.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”. (vazhdon shqyrtimi në komisione)

6. Projektligj “Për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor”.

7. Projektligj “Për gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative dhe Organizimin e Drejtësisë Administrative”. (vazhdon shqyrtimi në komisionin përgjegjës)

8. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Avokatit të Prokurimeve për vitin 2011”. 9. Plotësimi i vëndeve vakante në institucione. 10. Interpelancë me Ministrin e  Punëve Publike dhe Transportit kërkuar nga deputeti Erjon Braçe.

11. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës (60’).

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit