Transmetuar më 04-04-2012, 16:34

Tiranë, 4 prill 2012, NOA- Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta, priti sot në  takim ambasadorin e Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Kosovës në Tiranë, Sulejman Selimi.

Gjatë takimit Meta dhe ambasadori Selimi diskutuan mbi bashkëpunimin gjithnjë në rritje mes Shqipërisë dhe Kosovës, zhvillimet e fundit në rajon si dhe mbi hapat e ndërmarrë në drejtim të integrimit evropian të të dy vendeve.

Siç raporton noa.al, Meta i shprehu ambasadorit Selimi mbështetjen e plotë dhe vëllazërore të Lëvizjes Socialiste për Integrim ndaj rrugëtimit europian dhe forcimit të institucioneve demokratike në Kosovë.

Dy bashkëbiseduesit rikonfirmuan marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e shkëlqyer mes Tiranës dhe Prishtinës në të gjitha fushat, duke theksuar se marrëdhëniet mes dy vendeve janë model i fqinjësisë së mirë në rajon.

Sakaq Meta tha se u janë mirënjohës partnerëve euro-atlantikë për kontributin e tyre të fuqishëm për pavarësinë dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës, duke nënvizuar se kjo mirënjohje duhet shprehur përmes punës, realizimit sa më të shpejtë të reformave dhe ecjes përpara drejt integrimit evropian.

Në këtë kuadër, Meta rikonfirmoi mbështetjen e plotë për përshpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave dhe arritjes së Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Sipas kreut të LSI e vetmja rrugë për prosperitetin e qytetarëve tanë, por edhe të vendeve të tjera të rajonit, është rruga e integrimit europian.

Kjo, tha zoti Meta, mund të arrihet vetëm përmes forcimit të bashkëpunimit ekonomik, rritjes së shkëmbimeve tregtare, eliminimit të të gjitha barrierave dhe politikës konstruktive në rajon, në shërbim të interesave dhe të ardhmes së përbashkët.

a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit