

Tiranë, 4 prill 2012, NOA – Në kuadër të misionit faktmbledhës për përmbushjen e reformave integruese raporterët e Këshillit të Europës Tomas Jirsa, Grigore Petrenco të shoqëruar nga Bas Klein janë pritur të mërkurën në selinë e LSI-së, nga kryetari Ilir Meta, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Gjatë takimit u diskutua mbi zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, reformën zgjedhore dhe mbi ecurinë e përmbushjes së prioriteteve të Bashkimit Evropian për procesin e integrimit të vendit.
Kreu i LSI-së Ilir Meta dhe bashkëraporterët e Këshillit të Evropës vlerësuan krijimin e një klime më pozitive e bashkëpunuese mes aktorëve politikë në vend gjatë muajve të fundit, që sipas tyre përbën një kontrast të dukshëm me vitin e kaluar.
Sipas tyre rikthimi i dialogut është një kontribut real e i nevojshëm në përshpejtimin e reformave që duhen përmbushur në interes të integrimit evropian të Shqipërisë.
Në këtë drejtim, zoti Meta theksoi se qytetarët shqiptarë nuk e meritojnë klimën e panevojshme konfliktuale dhe polarizuese me të cilën u përballën gjatë dy viteve të fundit.
“Ka ardhur koha që të gjithë aktorët politikë të punojnë bashkë në mënyrë konstruktive në interes të vendit”, u shpreh Meta.
Sa i përket zgjedhjes së Presidentit të Republikës, Meta u shpreh se për LSI-në është e rëndësishme që Presidenti të zgjidhet përmes një procesi kushtetues dhe konstruktiv.
Në lidhje me reformën zgjedhore, kreu i LSI-së i informoi bashkëraporterët mbi qëndrimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim duke nënvizuar rëndësinë e përshpejtimit të kësaj reforme kyçe për mirëfunksionimin e demokracisë në vend dhe për marrjen e statusit të kandidatit.
Meta theksoi se është e rëndësishme që sistemi zgjedhor të garantojë transparencën, barazinë dhe përfaqësimin real të votës së qytetarëve shqiptarë në parlament.
Në përfundim të bisedës Meta u shpreh se “Lëvizja Socialiste për Integrim e vlerëson marrjen e statusit të kandidatit brenda këtij viti si një hap të merituar dhe kyç për të ardhmen e vendit, duke theksuar se partitë politike duhet të bashkëpunojnë në mënyrë institucionale dhe konstruktive për realizimin e plotë të reformave të nevojshme në interes të integrimit evropian të Shqipërisë”.
mit/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





