

Tiranë, 4 prill 2012, NOA/Irma Toptani – Tre vjet më parë flamuri shqiptar u ngrit mes flamujve të NATO-s, kur Shqipëria u bë anëtare me të drejta të plota në Aleancën e Atlantikut të Veriut mes 27 vendeve të tjera, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO u bë realitet më 2 prill të 2009-ës, gati një vit pasi Shqipëria mori ftesën për anëtarësim në samitin e Bukureshtit.
Autoritetet më të larta të vendit, Presidenti i Republikës, kryeministri etj, morën pjesë në ceremoninë e mbajtur enkas në Strasburg, ku mori pjesë edhe Presidenti amerikan Barack Obama.
Autoritetet shqiptare e kanë cilësuar anëtarësimin e Shqipërisë në NATO si një nga aspiratat më të larta të realizuara të kombit shqiptar, duke nënvizuar se tashmë aspiratë kombëtare mbetet integrimi në BE.
Presidenti i Republikës Bamir Topi në një mesazh të publikuar në faqen zyrtare të Presidencës deklaroi se “Shqipëria e meritoi NATO-n, qytetarët shqiptarë e meritojnë BE-në”.
Duke e cilësuar këtë si një vullnet unanim euroatlantik, Kreu i Shtetit i bëri thirrje politikës për ta bërë këtë aspiratë një realitet të prekshëm, të merituar, të qëndrueshëm dhe afatgjatë.
“3 vjet më parë Shqipëria u bë zyrtarisht anëtare në NATO. Kjo ngjarje historike ka zënë vend nderi në kujtesën tonë shtetërore e kombëtare, si kurorëzim i aspiratave dhe përpjekjeve të gjata kombëtare, si rikthim i natyrshëm i shqiptarëve në familjen atlantike dhe si një hap me rëndësi për forcimin e paqes, stabilitetit dhe demokracisë në rajonin e Evropës Juglindore. Prej anëtarësimit bilanci i progresit rajonal, i stabilitetit demokratik dhe zgjerimit të bashkëpunimit shumëplanësh midis shteteve dhe qytetarëve tanë, është pozitiv dhe inkurajues për të ardhmen”, theksoi Presidenti i Republikës.
Kreu i Shtetit nënvizon se merita kryesore e arritjes së këtij suksesi u takon ushtarakëve shqiptarë, që me aftësi profesionale arritën ta shndërrojnë sistemin e vjetër të mbrojtjes në një model të ri modern.
“Për vite me radhë ushtarakët tanë ishin dhe janë pjesë e misioneve paqeruajtëse në vende të ndryshme në botë, ku përmes angazhimit profesional dhe sakrificave deri në dhënien e jetës, e ngritën lart emrin e Shqipërisë dhe të Ushtrisë shqiptare. Anëtarësimi në NATO i ka dhënë Ushtrisë shqiptare një dimension dhe prestigj të ri. Njëherësh, anëtarësimi përbën një motivim më të madh për të vazhduar përpjekjet e modernizimit të saj në përmbushjen e misionit kushtetues brenda vendit dhe më tej, të misionit që buron nga detyrimet ndërkombëtare dhe konceptet e reja të mbrojtjes të shpallura nga NATO-ja”, theksoi Kreu i Shtetit.
Ai shtoi se “merita dhe vlerësimi u përket edhe institucioneve politike e kushtetuese të përfshira në procesin e anëtarësimit, vendimmarrjes politike konsensuale për reformat në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe në një plan më të gjerë, të gjithë shoqërisë shqiptare, që ka qenë e është mbështetëse e fuqishme e vlerave dhe parimeve demokratike mbi të cilat është krijuar dhe funksion NATO-ja”.
Sipas tij, në këtë trevjetor duhet kujtuar se anëtarësimi u arrit me mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të mëdha demokratike në Evropë, që sipas presidentit Topi ishte një konsensus domethënës për progresin tonë në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, dhe njëherësh, një mesazh i qartë inkurajimi në rrugën e konsolidimit të demokracisë dhe të shtetit të së drejtës.
mit/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





