

Tiranë, 3 prill 2012, NOA- Kryeministri i vendit Sali Berisha gjatë paradites së sotme priti në takim Presidentin e Agjencisë Kombëtare për mbështetjen e investimeve në vend dhe jashtë (INVITALIA) Giancarlo Innnocenzi Botti, së bashku me ambasadorin italian në vendin tonë Massimo Gaiani.
Siç raporton agjencia e lajmeve noa.al, Botti e përgëzoi Kryeministrin për situatën e qëndrueshme ekonomike të Shqipërisë, edhe pse në kohë krize globale dhe rezultatet e arritura sidomos në tërheqjen e investimeve të huaja.
Në vijim ai i shprehu Kryeministrit gatishmërinë e një sërë bizneseve italiane për të konsideruar shtrirjen e aktiviteteve dhe investimeve të tyre në Shqipëri, konkretisht, në fushën e energjisë së rinovueshme dhe atë të prodhimit të aparaturave mjekësore.
Ai tha se interes të veçantë ka shprehur një kompani italiane për transferimin e aktivitetit të saj në Shqipëri, që konsiston në prodhimin e kontatorëve dixhitalë, të cilët shërbejnë njëkohësisht edhe për të shërbyer internet të Shqipëri.
Për sa i përket fushës së shëndetësisë Botti theksoi se se një kompani italiane, aktiviteti i së cilës konsiston në prodhimin e aparaturave lëvizëse të mamografisë, gjithashtu synon të hapë në Shqipëri, një aktivitet të prodhimit të këtyre pajisjeve.
Siç raporton noa.al, nga ana e tij Kryeminsitri Berisha u shpreh se, oferta e biznesit italian është shumë interesante dhe qeveria shqiptare e mbështet fuqishëm idenë e hapjes së aktiviteteve prodhuese dhe investimeve të huaja në fushën e energjisë, përpunimit të mbetjeve urbane, si dhe prodhimin e aparaturave e pajisjeve.
Ai garantoi se të gjitha strukturat e qeverisë janë të gatshme për ta kthyer këtë propozim në histori suksesi.
Prioriteti i qeverisë shqiptare për zhvillimin e burimeve të prodhimit të energjisë së rinovueshme, tha më tej Kryeministri, është tashmë i shprehur në një sërë veprash të tilla në ndërtim e projektim dhe shtimi i të rejave është një provë tjetër e rëndësisë së këtij sektori dhe suksesit të modelit tonë ekonomik.
a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





