Transmetuar më 03-04-2012, 12:40

Bernë, 3 prill 2012, NOA- Ambasada Shqipërisë në Bernë të Zvicrës, në bashkëpunim me Shoqatën e Miqve të Institutit Zviceran të Studimeve Shqiptare dhe Bibliotekën Globlivres Renens në Lozanë, organizuan një konferencë për 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.

Siç informon agjencia e lajmeve noa.al, ambasadori i vendit tonë në Zvicër Mehmet Elezi mbajti temën “100-vjetori i pavarësisë së Shqipërisë vështruar me sytë e një shkrimtari”.

Gjatë konferencës u diskutuan tema të tilla si mbrojtja e hebrejve gjatë Luftës së Dytë, harmonia ndërfetare në Shqipëri, rrethanat e konferencës së Londrës 1913 ku u vendos copëtimi i trojeve shqiptare, reformat e sotme dhe modeli ekonomik shqiptar.

Ish-Kryetari i Parlamentit zviceran, deputet në disa legjislatura, Victor Ruffy foli për mbrojtjen e hebrejve nga shqiptarët si dhe qëndrimin e disa vendeve europiane ndaj tyre.

Në fund të aktivitetit, Ambasadori Elezi i dorëzoi Drejtoreshës së Bibliotekës Globlivres, Monika Prodon, disa libra në gjuhën shqipe.

Sakaq po në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë, ambasada e vendit tonë në Slloveni, organizoi një mbrëmje kulturore në praninë e përfaqësuesve të Trupit Diplomatik të Akredituar në Slloveni, përfaqësuesve të MPJ dhe të Ministrisë së Kulturës të Sllovenisë, politikanë, biznesmenë, njerëz të kulturës dhe artit, etj. Mbrëmja filloi me çeljen e ekspozitës së piktorit shqiptar, Leonard Voci, ndërsa në vijim, u prezantua edhe libri kushtuar veprave të skulptorit Odhise Paskali, një kolazh filmik i veprave të tij si dhe seti "Albanian Artists" me fotot e 12 artistëve shqiptare të vlerësuar me titullin "Nderi i Kombit" si dhe libri me titull “Në sytë e nënave”, me autore Vitore Stefa Leka.

a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit