Transmetuar më 03-04-2012, 12:49

Dedë Hajdaraj u zgjodh delegat i PSHDK-së për Luzern

Luzern, 3 prill 2012 NOA/ Dashnim Hebibi – Se diaspora shqiptare ndër vite ishte organizatore e shumë aktiviteteve në të mirë të atdheut, në forma të ndryshme, tashmë është e njohur për të gjithë, por një kontribut të veçantë e kanë dhënë edhe aktivistët e PSHDK-së, degës së parë në Luzern të Zvicrës.

Veprimtarët nuk ndalen asnjëherë në aspektin kombëtar dhe atë humanitar, kështu që ditë më parë, ishin mbledhur shumë bashkatdhetarë, simpatizantë të PSHDK-së në selinë e Unionit Gjithëshqiptar Demokristian në Emen të Luzernit, për të rishikuar gjendjen e atdheut dhe për të mundur të veprojnë edhe më shumë, sepse siç thonë ata, Kosova tashmë është e pavarur, por ne nuk duhet të ndalemi së vepruari.

Dega e PSHDK-së në këtë pjesë të Zvicrës, sajë veprimtarëve të saj, organizoi Kuvendin zgjedhor e në këtë kuvend ishin të pranishëm shumë veprimtarë nga Zvicra e Gjermania. Në një atmosferë miqësore, demokristianët shqiptarë bashkëbiseduan në mes veti, se si të aktivizohet më shumë puna drejt qëllimit madhorë në interes të Kosovës.

Atëherë, kur jemi mësuar, që nëpër disa kuvende të shihen emocione për të zgjedhur, në këtë rast, na la shumë përshtypje zgjedhja e Delegatit të PSHDK-së, që unanimisht, pa asnjë replikë zgjodhën një veprimtarë të njohur të diasporës sonë, i cili nuk ka pushuar dhe nuk pushon për të mirën e atdheut dhe bashkimit.

Me disa fjalë modeste, këtë kuvend e hapi Gjokë Paloka, anëtarë i shtabit zgjedhor për Zvicër, ku përshëndeti të pranishmit dhe shpalosi në pika të shkurtra programin e këtij kuvendi. Përveç 69 anëtarëve të PSHDK-së, që ishin të pranishëm në këtë kuvend, morën pjesë edhe simpatizantë të PSHDK-së nga Gjermania, si poeti Fran Tanushi, pastaj ish kryetari i Shoqatës Humanitare "Nënë Tereza" për Zvicër z.Pjetër Gjoni etj.

Veprimtari i njohur Dedë Hajdaraj i cili është edhe nënkryetarë i Unionit USHDK-së i zgjedhur në kongresin e parë në Tiranë, përshëndeti të gjithë të pranishmit dhe uroi që ky kuvend të shkoj mirë dhe i zgjedhuri të veprojë për unitet dhe padyshim, që në Kuvendin e ardhshëm të Kosovës të kemi një përfaqësues nga PSHDK-ja, duke ditur, se ky subjekt politikë ka dhënë shumë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Me disa fjalë kuvendin e përshëndetën edhe poeti Fran Tanushi, Ndue Sinishtaj veprimtarë njëherit poet, Lazër Ukgjini veprimtarë i kahmotshëm, Llesh Duhanaj përfaqësues i CVP të Zvicrës, Nuri Pula veprimtarë dhe ish i burgosur, pastaj Xun Çeta veprimtarë, si dhe ish i burgosur politikë.

Në këtë kuvend mori pjesë edhe piloti, James Berisha i shoqëruar nga veprimtari Bajram Mulaj, ku nga të pranishmit u falënderua shumë dhe me duartrokitje të nxehta i dëshiruan mirëseardhje këtij lobisti të madh të pavarësisë së Kosovës.

Me disa fjalë përshëndetëse piloti James Berisha, vlerësoi lart kontributin e kësaj dege të PSHDK-së, veprimtarëve të saj që janë në këtë subjekt politikë e në veçanti Ded Hajdaraj, duke njohur mirë, se ka kontribuar dhe po kontribuon për atdheun. Z.Berisha, falënderoi të gjithë të pranishmit edhe për përkrahjen që ia kanë dhënë për të lobuar dhe pret edhe në të ardhmen, që të jemi bashkë dhe të kalojmë të gjitha sfidat që i kemi dhe që do na krijohen.

Pilotin James Berisha e nderuan edhe me mirënjohje, respekti për punën që ka bërë dhe që po bënë për Kosovën dhe këtë mirënjohje në emër të PSHDK-së dhe simpatizantëve të saj ia dhuroi poeti e veprimtari Ndue Sinishtaj.

Me një përgatitje të shkëlqyer, kjo degë pa asnjë reklamacion, e zgjodhën, veprimtarin Dedë Hajdaraj delegat të PSHDK-së, pra degës së parë në Luzern dhe me këtë detyrë të re, veprimtari Dedë Hajdaraj, pret që të jetë i pranishëm edhe më shpesh në Kosovë dhe të punoj edhe më shumë, që PSHDK-ja të ketë imazhin e merituar dhe të ketë deputetët e saj në Kuvendin e ardhshëm të Kosovës, duke ditur, se në PSHDK kemi pasur dhe kemi shumë figura të ndritura të kombit, akademikë dhe intelektualë të profileve të ndryshme. Dedë Hajdaraj, nga 69 anëtarët e degës u zgjodh unanimisht dhe me fjalën e tij të parë, tha ndër të tjera, se: "Do të mundohem shumë, që të jemi në atë pozitë që duam të gjithë. Nuk na duhen fjalë, por punë e vepra konkrete, të bashkohemi, sepse vetëm të bashkuar do të jemi atje ku e meritojmë".

Ky kuvend zgjedhor dha një shembull shumë të mirë, se duhet të jemi të bashkuar, drejt qëllimeve madhore të atdheut tonë, drejt BE-së dhe NATO-s. d.h/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit