

Tiranë, 3 prill 2012, NOA- Raportuesit e Këshillit të Europës të ardhur ditën e djeshme në kryeqytet, kanë nisur në orët e para të ditës së sotme takimet e para në kuadër të misionit faktmbledhës.
Siç raporton noa.al, raportuesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për monitorimin e detyrimeve dhe angazhimeve nga Shqipëria, Tomas Jirsa dhe Grigore Petrenco, takimin e parë e kanë zhvilluar në Kryesinë e Kuvendit me kryetarin e komisionit të ligjeve Ilir Rusmajli ndërsa më pas pritet të takojnë me përfaqësues të komisionit për reformën parlamentare.
Në vijim të takimeve të tyre mësohet se do të diskutohet për reformën zgjedhore dhe atë parlamentare, luftën kundër korrupsionit, zgjedhjen e Presidentit dhe hetimet për ngjarjet e 21 janarit. Vizita e tyre pritet të zgjasë deri më 4 prill ku në kuadër të takimeve të tyre, janë parashikuar ai me Presidentin Bamir Topi, Kryeministrin Sali Berisha, kryesocialistin Edi Rama, Ministrin e Drejtësisë Bujar Nishani.
a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





