Zagreb (Kroaci) 3 prill 2012, NOA – Kryeministri kroat Zoan Milanoviç ka deklaruar se Kroacia do të angazhohet maksimalisht për të mbështetur Maqedoninë në planin e anëtarësimit në NATO dhe BE.
Ai këtë e theksoi gjatë komunikimit me qytetarët përmes rrjetit “youtube” me rastin e 100 ditëshit të Qeverisë së tij. I pyetur nga një qytetar se a do t`i ndihmojë Maqedonisë në planin e integrimeve euroatlantike, ka theksuar se kjo mbështetje nuk do të mungojë, mirëpo tërhoqi vërejtjen për zgjidhjen e problemit të emrit.
“Do të angazhohem për ti ndihmuar Maqedonisë si partnere e barabartë, dhe jo si një pacientë në kuadër të procesit të eurointegrimeve. Pas vendimit të fundit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me kontestin e emrit, vlerësoj se tani sërish duhet të bisedohet për statusin e këtij vendi, para se gjithash për anëtarësim në NATO. Asgjë nuk mund të arrihet me forcë, dhe se siç dimë bëhet fjalë për një proces të rëndë dhe afatgjatë”, ka theksuar kryeministri kroat Milanoviç.
Ai i është përgjigjur kroatëve lidhur me zhvillimet e brendshme politike, prioritetet e Qeverisë, krizën ekonomike si dhe procesin e anëtarësimit në BE.
a.k/noa.al/INA
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd