



Tiranë, 2 prill 2012, NOA- Në një aktivitet të organizuar në kuadër të ditës botërore për ndërgjegjësimin ndaj sëmundjes së autizmit, Kryeministri Sali Berisha u shpreh se ky çrregullim është i trajtueshëm me sukses.
Siç raporton agjencia e lajmeve noa.al, në këtë linjë ai shtoi se ekziston kuadër ligjor e institucional ndaj këtij fenomeni.
“Zbulimi i hershëm i autizmit ndihmon në kurim pasi duhet thënë se nga viti 2002-2012 ka pasur një rritje të të prekurve me 78%, ndaj çdo vonesë për kurimin e autizmit ka çmim të lartë”, u shpreh Kryeministri.
2 prilli është dita botërore për ndërgjegjësimin ndaj autizmit, këtij çrregullimi të rëndë neuro-biologjik dhe të sjelljes njerëzore, që ka prekur fëmijët në të gjithë botën.
Fenomeni i autizmit është shndërruar në një fenomen frekuent edhe në Shqipëri pasi në mënyrë të përsëritur është faktuar se një në 100 fëmijë lind me këtë fenomen, pra 1 % e fëmijëve që lindin çdo vit.
Shqetësimi në rritje është shfaqur nga ekspertët që merren me diagnostikimin e kësaj sëmundjeje dhe Fondacioni “Fëmijët Shqiptarë”.
Ndërkohë, në prag të ditës botërore të autizmit, Presidentja e Fondacionit “Fëmijët Shqiptarë”, bashkëshortja e kryeministrit, Liri Berisha deklaroi se gjatë viteve të fundit janë bërë përpjekje serioze për sensibilizimin e opinionit publik në disa qytete të vendit.
Fëmijët me autizëm shfaqen me dëmtime të komunikimit, ndërveprimit dhe përfytyrimit shoqëror.
Ata shpesh kanë një rreze të kufizuar interesash dhe shfaqin sjellje dhe mënyra të sjelljes përsëritëse, si dhe kundërveprime të ndryshme në mjedisin dhe rrethanat e përditshme.
Sipas Klasifikimit Ndërkombëtar të Sëmundjeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, autizmi shfaqet tek fëmijët para moshës tre vjeçare dhe shoqërohet me vonesa në ndërveprimet e tyre shoqërore, në të folur, shenja apo lojëra përfytyruese.
a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





