

Tiranë, 2 prill 2012, NOA – Komisioni Parlamentar i Ligjeve miratoi me konsensus amendamentin e opozitës për ngritjen e kolegjit administrativ pranë Gjykatës së Lartë, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Mazhoranca dhe opozita në Komisionin e Ligjeve kanë rënë dakord që ky kolegj të përbëhet nga pesë anëtarë, që të gjithë gjyqtarë të Gjykatës së Lartë.
Ashtu siç ishte lajmëruar deputetët shqyrtuan këtë të hënë projektligjin për “Për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe organizimin e drejtësisë administrative”, apo i njohur si projektligji mbi Gjykatën Administrative, i cili pritet të miratohet në muajin prill, pasi edhe opozita ka siguruar se do të votojë pro tij pas konsultimit të hollësishëm të neneve të projektligjit.
Në mbledhjen e javës së shkuar Komisioni i Ligjeve miratoi 8 nene të projektligjit për Gjykatën Administrative, dhe shqyrtimi i neneve të mbetura mëse 40 të tillë do të vijojë në ditët e ardhshme.
Sipas deputetit të mazhorancës Enkelejd Alibeaj, mazhoranca dhe opozita kishin interpretime të ndryshme sa i përket neneve të tjera, që solli edhe ndërprerjen e diskutimit të tyre.
Projektligji për Gjykatën Administrative, që parashikon ngritjen e gjashtë Gjykatave Administrative në qytete të ndryshme të vendit dhe një Gjykate Apeli në Tiranë pritet t’i japë zgjidhje shumë çështjeve gjyqësore të biznesit të mbetura pezull në mungesë të saj.
Projektligji, që përbën një nga rekomandimet e KE-së për reformat e rëndësishme në Parlament nisi të shqyrtohet më se një muaj më parë në Komisionin e Ligjeve pasi mbeti peng i mosmarrëveshjeve mazhorancë-opozitë për më shumë se tre vite rresht.
Opozita e ka bërë shqyrtimin projektligjit edhe kryefjalë të një tryeze ekspertësh të fushës dhe grupeve të interesit.
mit/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





