

Shkodër, 1 prill 2012, NOA – Brenda dy orësh uniformat blu të antidrogës në qytetin e Shkodrës finalizuan dy operacione të koduara me emrat “Vraka” dhe “Buna”, gjatë të cilëve u sekuestruan 58 kg hashash dhe u arrestuan katër poseduesit e drogës, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Gjatë operacionit “Vraka”, i finalizuar rreth orës 08.35 të mëngjesit të 1 prillit, u arrestuan 18-vjeçari Paulin Lulaj, lindur në fshatin Vuksanaj të Shalës në shkodër, dhe banues në fshatin Gril të komunës Gruemirë si dhe 38-vjeçari Bardhok Kodra, lindur në fshatin Plan të komunës Pult dhe banues në fshatin Gril.
Lulaj dhe Kodra u prangosën gjatë kontrollit në tregun e frutave dhe perimeve në lagjen Dobrac, ku atyre iu gjetën 5 thasë me hashash që peshonin 34 kg.
Në cilësinë e provës materiale dy të arrestuarve iu konfiskuan edhe dy aparate celularë.
Ndërkohë dy orë më vonë, blutë e antidrogës në Shkodër finalizuan operacionin “Buna”, gjatë të cilit u arrestuan 27-vjeçari Fran Nou, lindur në fshatin Plan komuna Pult dhe banues në fshatin Oblike në komunën Ana e Malit dhe Petrit Berdheti 28 vjeç, lindur në fshatin Pog, komuna Pult dhe banues në fshatin Grudë e Re.
Nou dhe Berdheti u kapën në kryqëzimin e Urës së Bunës, në lagjen Iliria të qytetit të Shkodrës.
Atyre iu gjetën gjatë kontrollit dy thasë me hashash, që peshonin gjithsej 24 kg.
Edhe Fran Nout dhe Petrit Berdhetit iu sekuestruan në vendngjarje edhe dy aparate celularë.
Të katër personat e arrestuar janë nën akuzë për prodhim dhe shitje droge.
mit/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





