

Korçë, 1 prill 2012, NOA – Kryeministri Sali Berisha ishte sot në Korçë, ku ngushëlloi familjen e Gëzim Demçollit, Kryetar i Këshillit të Qarkut Korçë, i cili u nda nga jeta të shtunën pas një sëmundjeje të rëndë, në Bilisht, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Kryeministri Berisha i shprehu bashkëshortes, fëmijëve dhe të afërmve, ngushëllimet e tij më të thella, të qeverisë dhe Partisë Demokratike, për ndarjen e parakohshme nga jeta të njeriut të tyre të dashur.
Ai vlerësoi kontributin e zotit Demçolli, si një zyrtar i përkushtuar dhe i përgjegjshëm për Devollin dhe Korçën.
“Gëzimi, lë mbrapa një emër të shkëlqyer”, u shpreh kryeministri.
“Gëzimi ishte modeli i njeriut shembullor, i prindit, bashkëshortit shembullor, i qytetarit të ndershëm e të përkushtuar, i demokratit të flaktë e të vendosur, i zyrtarit të përgjegjshëm. Gëzimi vdiq nga një sëmundje e rënde dhe para kohe, por lë mbrapa një emër të shkëlqyer dhe kujtimin e njeriut të mrekullueshëm, për të gjithë ata që e kanë njohur, për familjen e tij, bashkëqytetarët e bashkëluftëtarët e tij, për të gjithë ata që kanë pasur një marrëdhënie pune e të tjera, gjatë jetës së tij”, theksoi shefi i qeverisë në mesazhin e dhënë për mediat.
Sipas kryeministrit, Partia Demokratike humbi jo vetëm një qeveritar të sprovuar vendor, por edhe një prej kryetarëve më të talentuar të degëve të saj, siç ishte kryetari i degës së Devollit.
mit/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





