Transmetuar më 21-03-2012, 07:58

Tiranë, 21 Mars 2012 NOA/ Rid Bulku – Të nderuar lexues kjo është një pasqyrë e faqeve të para për disa nga gazetat kryesore në vend, për ditën e mërkurë, 21 mars 2012.

Gazeta “Panorama” ka ndër argumentet kryesore të ditës, vrasjen e atij që cilësohet miku i Emiljano Shullazit, bëhet fjalë për të ndjerin Arlind Fuga që u qëllua mbrëmë në një atentat në Tiranë.

Nga ekonomia, “Tuneli i Kërrabës, Olldashi: Puna mbyllet në maj”.

Nga politika, “Politika e jashtme, Meta vlerësohet me çmim”. Kjo gazetë shkruan se Për kontributin e tij pozitiv dhe real në mbarëvajtjen e politikës së jashtme të Shqipërisë dhe për ndikimin e tij personal dhe institucional për forcimin e marrëdhënieve të mira rajonale dhe të fqinjësisë së mirë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim ka marrë një çmim në Lubjanë, Slloveni.

E përditshmja “Shekulli” po ashtu ka si argument kryesor “Tiranë, qëllohet për vdekje “shoku” i Emiljano Shullazit”.

Nga politika shihen “Rama mban takime me kongresmenë të SHBA-së”, si dhe “Ilir Metës i akordohet çmimi “Personaliteti më Pozitiv i Politikës së Jashtme”.

Gazeta Shqiptare hapet me ngjarjen nga kronika “Atentati mafioz, vritet me gjashtë plumba shoku i Emiljano Shullazit”. Shkrimi i referohet vrasjes mbrëmë të Arlind Fugës pranë rrugës “Myslym Shyri” në Tiranë.

Gazeta “Koha Jonë” çelet me titullin “Shkeljet e prokurorëve, Ina Rama sulmon Drejtësinë”. Shkrimi i referohet përplasjeve të djeshme mes Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Drejtësisë lidhur me një kontroll nga ana e këtij dikasteri në organin e akuzës ku u gjetën një seri shkeljesh që kryeprokurorja thotë se janë të papërfillshme përballë punës që bëhet.

Një shkrim tjetër kryesor në “Koha Jonë” është ai me titull “Tuneli Tiranë-Elbasan hapet në maj, autostrada çelet pranverën tjetër”.

Nga lajmet sociale, “Të përndjekurit, ulet me 10 vjet mosha e përfituesve të dëmshpërblimit”.

Nga kronika, “Tabakane” në Elbasan, kap shtatë vetë me heroinë, kokainë dhe hashash.

Nga politika, “Ilir Meta merr çmimin “Personazhi më pozitiv në Politikën e Jashtme”.

Gazeta “Mapo” ka si argument kryesor atë me titull “Ndryshon ligji për të përndjekurit, dëmshpërblimi zbret në 70 vjeç”.

Një tjetër titull i rëndësishëm, nga kronika: Ekzekutohet pas kafesë me të vëllanë miku i Emiljano Shullazit.

Nga ekonomia, kreu i AKKP, Cefa: Pronat, kthimi fizik i pamundur, ja sa do të zgjasë kompensimi financiar, si dhe shkrimi tjetër, “Pagat e referencës, financat projekt për t’i shfuqizuar”.

Nga politika, deputeti socialist Tahiri: Analiza e Blushit hap debat për shtresën e varfër dhe të mesme.

Si dhe nga lajmet sociale, “Miratohet kërkesa e Myslimanëve, xhamia e re te Namazgjaja”.

Gazeta “Rilindja Demokratike”, organ i PD, hapet me titullin “Vendosni si kusht

heqjen e imunitetit”, ku citohet ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu: “Do të ftoja palën europiane që heqjen e imunitetit për zyrtarët e lartë dhe për gjyqtarët në Shqipëri,

ta vendosë si kusht për marrjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Le të jetë ky testi dhe prova më e afërt. Mazhoranca ka shprehur vullnetin e saj se do të votojë cilëndo alternativë që do të zgjedhë opozita”.

E përditshmja e PS, “Zëri i Popullit” hapet me titullin “Rama: Takim i shkëlqyer në Departamentin e Shtetit”. Ky kryeartikull i referohet vizitës së Ramës në SHBA dhe takimit dje në Uashington DC me zv/ndihmëssekretarin e Shtetit i cili pak javë më parë priti edhe Bashën në zyrën e tij.

Një tjetër shkrim: “BE: Shqipëria, problem me krimin, pronat dhe korrupsionin”.

E përditshmja Free Press, “Agon” çelet me titullin “Pa imunitet dhe në BE, ose e kundërta”. Shkrimi vë në dukje se Pier Mirel, drejtor në BE dhe qeveria shqiptare kërkojnë si kusht heqjen e imunitetit të zyrtarëve.

Nga kronika spikat titulli “Vritet një nga të "Rrugës së Kavajës", lidhur me vrasjen dje në kryeqytet.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit