Transmetuar më 29-02-2012, 22:26

Leçe, (Itali) 29 shkurt 2012, NOA – Që nga 31 janari Italia është një nga vendet që ka vënë në zbatim një prej vendimeve të gjykatave më të çuditshëm. Bëhet fjalë për përdorimin e rrjeteve sociale. Sipas vendimit të Gjykatës Supreme të Kasacionit personat që ndodhën në arrest shtëpie nuk duhet të përdorin rrjetet sociale si Facebook dhe Twitter.

Vendimi i gjykatës saktëson se arresti shtëpiak, nënkupton se personi nën hetim nuk duhet të ketë kontakte me njerëz përveç familjarëve. Në këtë mënyrë, edhe me rrjetet sociale duhet të ndodh e njëjta gjë duke eliminuar kontaktet me persona të tjerë që nuk janë pjesë e familjes me të cilën jeton.

Ndërkohë që vendimi i gjykatës ka marrë parasysh dhe të drejtën e informimit. Ndaj kanë lejuar përdorimin e internetit si mjet informacioni për të parë lajmet dhe video, por janë përjashtuar të gjithë rrjetet sociale të mundshme.

Vendimi ka ardhur pas një ngjarje të ndodhe në Leçe, ku një i ri nën hetim ishte lënë në arrest shtëpie. Karabinierët raportonin se nuk kishte asnjë kontakt të të dyshuarit me persona të tjerë të përfshirë në krim, pasi edhe telefoni i përgjohej.

Por gjatë një kontrolli që kanë bërë karabinierët, në mënyrë të befasishme në dhomën e tij në shtëpi, kanë parë që i riu ishte duke folur në Facebook, pikërisht me një prej të dyshuarve për krimin. Kjo ngjarje ka sjellë dhe vendimin e Gjykatës së Kasacionit.

r.b/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit