

Romë, 29 shkurt 2012, NOA/ Arjola Ymeraj- Një organizatë kriminale shqiptarësh e cila merrej me trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike me bazë në Romë të Italisë u shkatërrua nga policia e këtij qyteti.
Operacioni ndaj tyre nisi në vende të ndryshme të vendit fqinj duke filluar nga Roma në drejtim të Catanias.
Në kryeqytetin italian u arrestua Shpëtim Kadana i njohur ndryshe si “Sandro” i cili konsiderohej si kreu i organizatës kriminale, ndërsa në Siçili në pranga u vunë Ermir Baja dhe Astrit Doçaj të cilët u dërguan në ambientet e paraburgimit në Augusta dhe në Monza nga ana e policisë u arrestua Gjergj Sarreqi.
Hetimet për këtë grup trafikantësh droge mësohet se kanë nisur në vitin 2007 nga sektori i antimafias Guardia di Finanza në Firenze.
Siç informon agjencia e lajmeve noa.al, identifikimi i tyre erdhi përgjimeve telefonike dhe dëshmive të mbledhura të cilat kanë zgjatur për më se dy vite nga ku u grumbulluan të dhëna se kokaina furnizohej nga Hollanda dhe Belgjika e më pas bëhej transporti e shpërndarja në Itali.
Nga ana e policisë thuhet se në disa raste organizata ka shërbyer edhe si pikë furnizimi për grupe të tjera trafikantësh nga shtete të tjera të rajonit, ndërsa thuhet se disa nga dërgesat e drogës të blera nga Shpëtim Kadana i njohur ndryshe Sandro, në vendet e ulëta, janë dërguar me sukses në Greqi, ku priteshin nga një grup tjetër shqiptarësh i lidhur me bandën që vepronte në Itali.
Sakaq në cilësinë e provës materiale u sekuestrua rreth 20 kilogramë kokainë e destinuar për në tregun e Romës, ndërsa u arrestuan edhe 12 anëtarë të tjerë që kishin role kyçe në organizatë, si dhe u sekuestruan 3 pistoleta të vjedhura dhe municione të tjera.
a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





