

Tiranë, 29 shkurt 2012, NOA- Në Gjykatën Kushtetuese këshilltari i Presidentit, Artur Metani ka parashtruar arsyet për të cilat Presidenti i Republikës iu drejtua gjykatës për zgjidhjen e këtij konflikti kompetencash ndërmjet Presidentit dhe Kuvendit dhe shfuqizimin e vendimit nr. 106 të datës 23 Qershor 2011, të Kuvendit.
Sipas tij, në vlerësimin e Presidentit të Republikës, çështja në shqyrtim është një çështje themelore e ndarjes së pushteteve, e shtetit të së drejtës dhe garancive kushtetuese të ofruara për ushtrimin e kompetencave që institucionet kanë.
“Zbatimi i detyrimeve kushtetuese duhet të jetë i harmonizuar gjithmonë me parimet themelore të ndërtimit dhe funksionimit të kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë. Vetëm një harmonizim i tillë bën të mundur rregullimin e çështjeve që shtrohen për zgjidhje përpara institucioneve publike. Ky është, në gjykimin e Presidentit të Republikës, edhe kuptimi i vendimit të Gjykates Kushtetuese i qershorit 2011, vetëm kështu do të mund të realizohej edhe përtërtija e përbërjes së Gjykatës Kushtetuese në përputhje me Kushtetutën. Përfundimisht, Presidenti i Republikës i kërkon Gjykatës Kushtetuese që në mbështetje të nenit 131, gërma ç të Kushtetutës dhe neneve 54 dhe 56 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese” të vendosë zgjidhjen e konfliktit të kompetencave ndërmjet institucionit të Presidentit të Republikës dhe atij të Kuvendit dhe për pasojë dhe shfuqizimin e vendimit nr. 106, datë 23 Qershor 2011 të Kuvendit të Shqipërisë”, u shpreh zoti Metani.
Mësohet se Presidenti i Republikës i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me objekt kërkesën që, në mbështetje të nenit 131, gërma ç, të Kushtetutës dhe të neneve 54 dhe 56 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të zgjidhë konfliktin e kompetencave ndërmjet institucionit të Presidentit të Republikës dhe atij të Kuvendit të Shqipërisë dhe për rrjedhojë, të shfuqizojë vendimin nr. 106, datë 23.06.2011, të Kuvendit të Shqipërisë.
Në datat 28 prill 2010 dhe 24 maj 2010, Gjykata Kushtetuese ka deklaruar me vendim, mbarimin e mandatit të 4 prej anëtarëve të saj. Këto vendime i janë dërguar Presidentit të Republikës dhe në bazë të këtyre vendimeve, Presidenti vazhdoi procedurën e mëtejshme kushtetuese për plotësimin e vendeve vakante, ndërsa në shtator të vitit 2010, Presidenti i Republikës dërgon në Kuvendin e Shqipërisë për pëlqim, 4 dekrete emërimi të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, por një grup deputetësh të Kuvendit iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese për interpretim.
Sakaq pas daljes së vendimit në qershor të vitit 2011, të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi, vendosi të miratojë “propozimin e Komisionit të Çështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtat e Njeriut për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr. 24, datë 9 qershor 2011, për ripërtëritjen e përbërjes së Gjykatës Kushtetuese për çdo tre vjet në një të tretën e anëtarësisë së saj”.
Arsyet për të cilat Presidenti i Republikës iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për zgjidhjen e këtij konflikti kompetencash ndërmjet Presidentit dhe Kuvendit dhe shfuqizimin e vendimit nr. 106 të datës 23 Qershor 2011, të Kuvendit janë:
Së pari, sa i përket juridiksionit të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti i Republikës vlerëson se çështja e paraqitur para jush, të nderuar gjyqtarë, është rasti i parashikuar në nenin 131, gërma ç, të Kushtetuës, sipas të cilit: Gjykata Kushtetuese vendos për mosmarrëveshjet e kompetencës ndërmjet pushteteve. Gjithashtu, neni 54 i ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese” përcakton në pikën 1 se: Gjykata Kushtetuese shqyrton konfliktet e kompetencës ndërmjet pushteteve kur mosmarrëveshja ka lidhje të drejtpërdrejtë me ushtrimin e veprimtarisë së tyre. Neni 56 përcakton se: Kur zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës është e lidhur me akte ligjore ose nënligjore të nxjerra nga organet palë në konflikt, Gjykata Kushtetuese për zgjidhjen e mosmarreveshjes shqyrton edhe kushtetushmërinë apo ligjshmërinë e aktit.
Po kështu, edhe vendimi nr. 24, datë 9 qershor 2011, i Gjykatës Kushtetuese ka përcaktuar në paragrafin 9/1 se “Gjykata Kushtetuese mund dhe duhet të investohet vetëm nëse interpretimi që kërkohet është i lidhur me një mosmarrëveshje konkrete, që ka lindur si pasojë e zbatimit ose kuptimit të ndryshëm ose të gabuar të normës kushtetuese”. Çështja e mosmarrëveshjes që shqyrtohet sot para Gjykatës Kushtetuese është një mosmarrëveshje konkrete, e lindur pas zbatimit, në vlerësimin e Presidentit të Republikës, të gabuar të normës kushtetuese që ka të bëjë me emërimin dhe ripërtëritjen e përbërjes së Gjykates Kushtetuese.
I njëjti vendim i Gjykatës Kushtetuese, në paragrafin 9/2 percakton se: “kërkohet që organet, të cilat zbatojnë normën kushtetuese, të kenë mbajtur qëndrimin e tyre për kuptimin/interpretimin e kësaj norme”. Presidenti i Republikës, por edhe Kuvendi i Shqipërisë i kanë mbajtur qëndrimet e tyre, sipas interpretimit që i kanë bërë normave konkrete të Kushtetutës, të shprehura nëpërmjet vendimeve të të dy organeve, pra dekreteve të nxjerra nga Presidenti i Republikës, dhe vendimit të Kuvendit për ndërprerjen e procedurave të shqyrtimit të dekreteve të Presidentit deri në prill 2013. Qëndrimet e të dy organeve janë shprehur edhe në korrespondencën mes njëri – tjetrit, në datat të cilat i përmenda edhe më siper. Kjo korrespondencë është depozituar pranë Gjykatës Kushtetuese, sipas kërkesës së kësaj të fundit.
Së dyti, në vendimin e saj nr. 24, të datës 9 qershor 2011, Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar dy elementë të rëndësishëm për funksionimin sipas rregullave kushtetues të kësaj Gjykate. Së pari, Gjykata Kushtetuese është shprehur në paragrafin 34 se parashikimi i nenit 125, paragrafi 3 i Kushtetutës përbën një parim organizativ, i bazuar në veçoritë specifike të procesit kushtetues dhe ka për qëllim ruajtjen në përbërje të Gjykatës të një shumice prej dy të tretave të anëtarëve në detyrë. Pra, sipas këtij vendimi është thelbësore dhe vlerë e mbrojtur nga Kushtetuta, përvoja juridike e krijuar në fushën e gjykimit kushtetues, të përfaqësuar në një shumicë prej dy të tretash të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Me këtë parim të konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese bashkohet edhe Presidenti i Republikës dhe këtë gjë e ka shprehur edhe në letrën e dërguar në Kuvendin e Shqipërisë në datë 28 korrik 2011. Elementi i dytë i rëndësishëm i vendosur nga Gjykata Kushtetuese, në paragrafin 39 dhe në dispozitivin e vendimit, është përcaktuar se: “është kompetencë e ligjvënësit kushtetues që të gjejë edhe zbatojë mekanizmin e përshtatshëm për të respektuar parimin kushtetues të përtëritjes së përbërjes së Gjykates Kushtetuese çdo tre vjet në një të tretën e saj”.
Nëse për elementin e parë të vendimit të Gjykatës, Presidenti i Republikës dhe Kuvendi i Shqipërisë duket se bashkohen me arsyetimin e Gjykatës, ndërprerja e menjëhershme e procedurave të shqyrtimit nga Kuvendi të tre dekreteve të Presidentit, është në vlerësimin e Presidentit, një mekanizem antikushtetues. Kushtetuta ka përcaktuar në nenin 125, pika 1, se mandati i anëtarit të Gjykatës Kushtetuese është 9 vjet. Kjo është një dispozitë që është e barabartë dhe ka të njëjtën vlerë kushtetuese me dizpozitën tjetër kushtetuese që detyron përtëritjen e përbërjes së Gjykates Kushtetuese. Këto dispozita nuk mund të kenë epërsi mbi njëra tjetrën, pasi kështu do të cënohej funksionimi sipas rregullave kushtetues i Gjykatës. Nëse do të pritej që procedura e votimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese të kryhen vetëm në prill 2013, atëherë do të gjendeshim para zgjatjes së mandateve 9 vjeçare, për 3 anëtarë, në 12 vjet. Në vlerësimin e Presidentit të Republikës, edhe nëse kjo do të ishte zgjidhja, atëherë e vetmja rrugë për realizimin e saj do të ishte nëpërmjet një rregullimi kushtetues apo ligjor dhe jo nëpërmjet një vendimi të Kuvendit. Në plotësim të këtij argumenti, vjen edhe vetë Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj nr. 24, datë 9 qershor 2011, e cila shprehet në paragrafin 31, se “parimi i pavarësise nënkupton, gjithashtu, se në momentin e emërimit, gjyqtari duhet të dijë kohëzgjatjen e këtij mandati, bazuar në rregullimet ligjore përkatëse dhe kjo kohëzgjatje nuk mund të lihet në diskrecion të organeve që e kanë emëruar ose zgjedhur atë”. Pra, ky përcaktim i Gjykatës do të thotë se gjyqtari kushtetues duhet të ketë një mandat të përcaktuar në rregullime ligjore, nje mandat të njohur paraprakisht për të, dhe jo të ndryshueshëm në një moment të caktuar të kohëzgjatjes së mandatit, me një vendim të njërit prej institucionioneve që e ka zgjedhur atë.
Kjo është edhe arsyeja pse Presidenti i Republikës, edhe pse në dijeni të faktit dhe të detyrimit kushtetues për realizimin e përtëritjes së përbërjes së Gjykatës Kushtetuese, nxorri dhe dërgoi në Kuvendin e Shqipërisë 4 dekretet për emërimin e 4 anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese. Pra, vendimet e prillit dhe majit 2010, të Gjykatës Kushtetuese për deklarimin e mandateve për 4 prej anëtarëve të saj, e vunë Presidentin e Republikës në lëvizje për ushtrimin e detyrimit të tij kushtetues për emërimin e anëtarëve të rinj të Gjykatës. Në të kundërt, pra nëse Presidenti i Republikës do të vononte emërimin e anëtarëve të rinj të Gjykatës me arsyetimin e gjetjes së një mekanizmi, jashtë një rregullimi ligjor, atëherë Presidenti i Republikës vlerësoi se do të ishte në moszbatim të detyrimeve të tij kushtetuese.
Së treti, mekanizmi i gjetur nga Kuvendi për shtyrjen e procedurave për shqyrtimin në seancë plenare të tre dekreteve të Presidentit të Republikës, është miratuar me një akt të brendshëm të Kuvendit, pra me një vendim të tij. Vendimet e Kuvendit kanë gjithmonë karakterin e akteve të brendshme dhe ato në asnjë rast nuk mund të percatojnë rregulla të përgjithshme të detyrueshme për zbatim, gjë e cila realizohet nëpërmjet procesit legjislativ, pra miratimit të ligjeve. Vendimet shprehin vullnetin e ligjvenesit per emerime apo shkarkime apo ngritje komisionesh apo vullnete politike ne rastin e rezolutave, por ne asnje rast nuk mund te percaktojone rregulla per funksionimin e nje institucioni si ne rastin ne shqyrtim. Për më shumë, mandatet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nuk mund të zgjaten apo kufizohen me vendim të Kuvendit, sikurse është disponuar konkretisht në vendimin e Kuvendit, i cili shprehet se çështja e shqyrtimit të dekreteve të Presidentit të Republikës do të kryhen në prill 2013, duke zgjatur praktikisht mandatin e anëtarve të cilëve u është deklaruar mbarimi me vendim të Gjykatës Kushtetuese në prill dhe maj 2010. Edhe vetë Gjykata Kushtetuese shprehet në paragrafin 33 të vendimit të saj nr. 24, të 9 qershorit 2011, se: “Mbarimi ose ndërprerja e mandatit të një gjyqtari kushtetues, në bazë të vendimit të organit që e ka zgjedhur atë dhe jo sipas një procedure ligjore të përcaktuar, me të cilën gjyqtari është njohur dhe ka pranuar në momentin e zgjedhjes së tij, është e papajtueshme me parimet kushtetuese”.
Gjithashtu, edhe praktika e ndjekur nga ligjvënësi në bazë të ligjit “Për dispozitat kryesore kushtetuese”, të vitit 1991 dhe të Kushtetutës së vitit 1998, është mbështetur në dispozita kushtetuese ose në ato të ligjit kushtetues “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, pra në një rregullim ligjor, të miratuar sipas procesit legjislativ kushtetues. Kështu, ligji “Për dispozitat kryesore kushtetuese”, e përcaktonte në mënyrë të hollësishme procedurën e ripërtëritjes së anëtarëve të saj. Në nenin 18, ligji përcaktonte se kur dhe si do të bëhej përtëritja e përbërjes së Gjykatës Kushtetuese. Ndërsa Kushtetuta e vitit 1998, nëpërmjet nenit 125, paragrafi 3, këto përcaktime të hollësishme ia ngarkoi ligjit organik. Ligji organik ka përcaktuar nëpërmjet dispozitës kalimtare të nenit 82, se kur do të përfundojnë mandatet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese të zgjedhur në vitin 1992 dhe se përtëritja e përbërjes së Gjykatës Kushtetuese do të bëhet sipas mbarimit të secilit gjyqtar. Pra, e gjithë kjo procedurë e rëndësishme kushtetuese është përcaktuar në një akt ligjor dhe jo me vendim të organeve që zgjedhin apo emërojnë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Prishja e rregullit te percaktuar ne ligjin organic, pra vonesat ne emerime dhe dhenie pelqimi per dekretet per shkaqe objective apo subjective, nuk mund te rregullohet me vendim te Kuvendit, por vetem nepermjet nje rregullimi ligjor.
Së katërti, vendimi nr. 106, datë 23 qershor 2011, i Kuvendit të Shqipërisë ka krijuar konflikt kompetence midis autoritetit kushtetues të Presidentit të Republikës dhe atij të Kuvendit të Shqipërisë. Presidenti i Republikës vlerëson se nuk është në diskrecionin dhe vlerësimin as të Presidentit dhe as të Kuvendit të Shqipërisë përcaktimi i përfundimit të mandatit të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese. Sipas, nenit 127, pika 2 të Kushtetutës, është Gjykata Kushtetuese organi që deklaron mbarimin e mandatit të anëtarëve të saj. Në rastin në shqyrtim, Presidenti nuk dekretoi 4 anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese sipas vlerësimit apo nismës së tij, por sepse ky është një detyrim i tij që lindi pas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për deklarimin e mbarimit të mandateve. Kuvendi, me vendimin e tij, ka krijuar pamundësi, ka penguar ushtrimin normal të kompetencës së tij për dekretimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Pra, sot efektivisht, Presidenti i Republikës është në pamundësi për të plotësuar detyrimin e tij kushtetues për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese si rrjedhim i vendimeve të kësaj të fundit për deklarimin e mbarimit të mandateve të 4 anëtarëve të saj. Një vendim i tillë i Kuvendit, është ndërhyrje në sferën e kompetencës së Presidentit të Republikës dhe krijon parregullsi në ushtrimin e kompetencave të tij. Krijimi i pamundësisë së ushtrimit të kompetencës presidenciale vë në dyshim edhe parime të tjera të rëndësishme si ai ndarjes së pushteteve dhe të shtetit të së drejtes.
Por, ky vendim i Kuvendit ka prekur edhe kompetencat e vetë Gjykatës Kushtetuese, duke marrë përsipër të interpretojë dhe miratojë një akt, i cili nuk është shprehur nëe vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar në vendimin e saj se ligjvënësi kushtetues duhet të gjejë mekanizmin për realizimin e detyrimit kushtetues të përtëritjes së përbërjes së Gjykatës. Por, Gjykata nuk është shprehur për pezullim të procedurave kushtetuese të shqyrtimit të dekreteve të Presidentit. Madje, Gjykata ka përdorur në arsyetimin e saj, togfjalëshin “ligjvënës kushtetues”, i cili do të thotë jo thjesht ligjvënësi si institucion apo organ i parashikuar në Kushtetutë, pasi Kushtetuta nuk njeh tjetër ligjvënës. Por, me togfjalëshin “ligjvënësi kushtetues” është patur parasysh ligjvënësi që për realizimin e këtij detyrimi do të përdorë dhe realizojë ndryshimet kushtetuese, të Kushtetutës ose të ligjit organik, siç ka qënë edhe praktika e përhershme e ligjvënësit shqiptar në këtë drejtim.
Së pesti, vendimi nr. 106, i 23 qershorit 2011, i Kuvendit të Shqipërisë ka vënë në dyshim legjitimitetin e Gjykatës Kushtetuese e përsa i përket vazhdimit të qendrimit në detyrë të tre anëtarëve të saj, të cilëve u është deklaruar mbarimi i mandatit me vendimet e prillit dhe majit 2010 të kësaj Gjykate. Sipas përcaktimit kushtetues të nenit 125, pika 5, ata qëndrojnë në detyrë deri sa të zëvëndësohen me anëtarë të rinj. Ky përcaktim ka për qëllim të sigurojë vazhdimësinë e veprimtarisë normale të Gjykatës dhe mosndërprerjen e funksioneve të rëndësishme të saj. Është e natyrshme që kjo vazhdimësi mandati të veprojë për periudhën gjatë së cilës organet që kanë detyrimin, të ushtrojnë kompetencat e veta për emërimin e anëtarëve të rinj. Por, kjo nuk do të thotë se kjo vazhdimësi mandati të veprojë tej një afati të arsyeshëm apo si në rastin në shqyrtim, afati i qëndrimit në detyrë të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese të përcaktohet në mënyrë të njëanshme, në kundërshtim me një dispozitë tjetër urdhëruese të Kushtetutës. Sipas vendimit të Kuvendit, të shoqëruar edhe me korrespondencën me Presidentin e Republikës, tre anëtarët e Gjykatës Kushteutese, të cilëve u ka përfunduar mandati duhet të qëndrojnë në detyrë deri në prill 2013. Me këtë vendim dhe arsyetim atyre u zgjatet mandati edhe tre vite të tjera, pra 12 vjet. Kjo është e dukshme në kundërshtim me nenin 125, pika 2 te Kushtetutës, i cili përcakton mandate 9 vjeçare për gjyqtarët kushtetues. Dhe kjo zgjatje mandati nuk është më për shkakun e kohës që kërkohet për zëvendësimin e tyre, por për një kohë të përcaktuar dhe paracaktuar 3 vjeçare, e përcaktuar kjo, jo me një rregullim ligjor, por me vendim te Kuvendit.
Së gjashti, vendimi nr. 106, i 23 qershorit 2011, është kontradiktor brenda tij. Në disa paragrafe të tij, shprehet se “Komisioni i Ligjeve ka vendosur t’i propozojë seancës dhënien e pëlqimit për njërën prej kandidaturave dhe mosdhënien e pëlqimit për tre kandidaturat e tjera”. Gjithashtu, Komisioni i Ligjeve propozon që Kuvendi të vijojë procedurën në lidhje me kandidaturën që Komisioni ka gjetur në përputhje me kriteret që ka per vlefshmërinë e kandidaturave për gjyqtarë kushtetues, por Komisioni i Ligjeve propozon ndërprerjen e procedurave për tre kandidaturat e fundit dhe dërgimin mbrapsht të dekreteve në institucionin e Presidentit të Republikës. Pra, ky arsyetim tregon se Komisioni i Ligjeve dhe Kuvendi nuk ka vlerësuar në këtë rast çështjen e procedurës së përtëritjes ose jo të përbërjes, por ka hyrë në meritën e kandidaturave duke dhënë pëlqimin për njërin prej kandidaturave, dhe nga ana tjetër nuk ka kaluar në seancë plenare kandidaturat e tjera, jo për shkak merite, por për shkak procedure. Nëse do të ndiqej llogjika e vendimit të Kuvendit për miratimin e njërit prej dekreteve dhe pezullimit për tre të tjerët, atëhere të gjitha dekretet duhet të kishin kaluar ne séancë dhe seanca plenare të vendoste me votim se ç’do të ndodhte me dekretet individuale.
a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





