

Tropojë, Pukë, Pogradec, 28 shkurt 2012, NOA – Forcat Ajrore të Ministrisë së Mbrojtjes kanë vijuar operacionin e shpërndarjes së ndihmave për banorët e bllokuar nga dëbora prej një muaji tashmë.
Helikopterët kanë fluturuar sot në disa fshatra të izoluar të Tropojës, Pukës dhe Pogradecit ku kanë transportuar 185 pako me ushqime, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Zonat ku janë shpërndarë ndihmat janë Dragobia e Tropojës, Fierza e Pukës dhe deri në Dardhas të Pogradecit.
Ministria e Mbrojtjes publikon itineraret e dërgimit të ndihmave me ushqime, ku sipas saj në orën 10.55 një helikopter B-205 dhe dy helikopterë B-105 të Bazës Ajrore të Farkës, u nisën për të transportuar 60 pako me ndihma ushqimore në fshatin Dragobi të komunës Margegaj, të rrethit Tropojë.
Të tre helikopterët përfunduan me sukses misionet e fluturimit dhe pasi dorëzuan ndihmat ushqimore për banorët e fshatit Dragobi, u kthyen në Bazën Ajrore në Farkë.
Ndërkaq, tre helikopterë të tjerë, një tip AB-205 dhe dy tip B-105, rreth orës 12. 35 janë nisur me mision për transportimin e 50 pakove me ndihma ushqimore në fshatrat Zhergë, Vlad dhe Kam të komunës Bytyç të rrethit të Tropojës.
Në orën 14.25 ata përfunduan me sukses misionin dhe u kthyen në Bazën e Farkës.
Gjithashtu, në orën 15.05 tre helikopterë të Forcave të Armatosura, një AB 205 dhe dy BO 105, fluturuan drejt fshatit Gralisht, Bugjan dhe Kokëdod të komunës Fierzë në rrethin e Pukës për të transportuar 60 pako me ndihma ushqimore për banorët e këtyre fshatrave.
Në orën 16.20, pilotët e helikopterëve, pasi realizuan uljet në destinacionet përkatëse dhe dorëzuan ndihmat ushqimore pranë autoriteteve të fshatrave, u kthyen në bazën e tyre në Farkë.
Ndërkohë në orën 16.25 një helikopter i tipit B-105 u nis drejt komunës Dardhas të Pogradecit me 15 pako ndihma ushqimore dhe, pasi i shkarkoi ato me sukses, u kthye në Bazën Ajrore të Farkës.
mit/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





