Transmetuar më 28-02-2012, 17:40

Bruksel, 28 shkurt 2012, NOA – Dy ditë para samitit të Këshillit të Europës, ministrat e jashtëm të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian rekomanduan të martën dhënien e statusit të vendit kandidat për Serbinë, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Ministrat e BE-së bënë me dije se tashmë i takon Këshillit Europian të vendosin për fatin e statusit të kandidatit për Serbisë.

Ministri i Jashtëm i Danimarkës deklaroi se negociatat për dhënien e statusit të vendit kandidat Serbisë ishin shumë të vështira, porse sipas tij kryediplomatët e vendeve anëtare të BE-së vlerësuan se Serbia i ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara për marrjen e statusit.

“Jam i kënaqur pasi Serbia i ka përmbushur të gjitha kriteret. Dhe jam i kënaqur të rekomandojmë statusin e kandidatit për Serbinë. Nga vizita ime e fundit në Beograd jam impresionuar shumë nga vendosmëria e presidentit serb Boris Tadiç për përmbushjen e kritereve. Ky rekomandim i sotëm do të thotë që ne jemi gati të hapim rrugën për çeljen e negociatave pëer anëtarësim për Serbinë”, theksoi ministri i Jashtëm danez.

Kryediplomati danez shtoi më tej se “Ajo që vendosëm ne sot është se ekzaminuam se Serbia përmbushi të gjitha kriteret e vendosura në dhjetorin e shkuar. Dhe presim që ky vendim i yni të konfirmohet edhe nga Këshilli i Europës në samit. Pra duket se edhe Rumania ka pranuar dhënien e statusit të kandidatit për Serbinë”.

Ai nënvizoi se pavarësisht krizës ekonomike dhe planeve ekonomike të Eurozonës, Be dhe duhet të vijojë edhe politikat e zgjerimit të saj.

Në këtë kontekst kryediplomati danez vlerësoi marrëveshjen më të fundit të arritur në Bruksel mes Prishtinës dhe Beogradit për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale.

“Ne kemi parë shumë përpjekje nga Beogradi për të arritur marrëveshje me Prishtinën. Marrëveshja e të premtes së kaluar ishte e suksesshme dhe ne jemi shumë të kënaqur që vendosëm marrëdhënie me Kosovën”, tha ministri i Jashtëm danez.

Ndërkohë Komisioneri për Zgjerimin në BE, Stefan Fule deklaroi se vendimet e marra sot për Kosovën e Serbinë reflektojnë ecurinë pozitive të dialogut teknik mes dy vendeve, hapat progresivë mes tyre, të cilat Fule i vlerësoi si meritë e liderëve të të dy vendeve.

“Dua të rikujtoj edhe arritjen e ditëve të fundit lidhur me marrëveshjen për përfaqësimin rajonal që është e rëndësishme për pajtimin rajonal

Inkurajojmë vijimin e dialogut teknik Prishtinë-Beograd që i shërben edhe stabilitetit në rajon”, theksoi Komisioneri i Zgjerimit.

Fule nënvizoi se “Statusi i vendit kandidat për Serbinë do të hapë një epokë të re në marrëdhëniet Serbi-BE, duke preçizuar se Serbia duhet të vijojë përmbushjen e reformave për çeljen e negociatave për anëtarësim”.

Sipas tij marrëveshja hap edhe rrugën për integrimin e Kosovës, duke e konsideruar atë si një situatë fituese për të gjitha palët, progresin e dyanshëm dhe bashkëpunimin rajonal e ndërrajonal.

Ndërkohë ministrat e Jashtëm të BE-së thanë se “fokusi i samitit të KiE-s më 1-2 mars do të jetë situata ekonomike në Europë, por kriza ekonomike nuk do të dominojë takimin, do flitet për krizën e punësimit”.

mit/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit