Transmetuar më 27-02-2012, 16:59

Tiranë, 27 shkurt 2012, NOA- Urdhri i Infermierit të Shqipërisë ka reaguar ditën e sotme lidhur me ankesat e paraqitura pranë tij, prej disa pjesëmarrësve të Provimit të Shtetit.

Siç raporton noa.al, të dhënat paraprake të Urdhrit të Infermierit të Shqipërisë, flasin për një nivel kalueshmërie prej 38-40 për qind të studentëve që morën pjesë në Provimin e Shtetit, një nivel ky i vlerësuar si aspak i kënaqshëm prej këtij institucioni.

Në këtë linjë UISH bën me dije se është duke analizuar arsyet e kësaj kalueshmërie kaq të ulët, të verifikuar nga studentët, ndërsa konstatohet se pranë këtij institucioni janë depozituar ankesa nga studentët pjesëmarrës në Provimin e Shtetit, prej fakulteteve të ndryshme.

“Ata shfaqin pretendimin se grup-pyetje të ndryshme, në testin e provimit, ata nuk i kanë patur në programet e tyre mësimore dhe nga kjo, lind pikërisht ideja se duhet një standardizim për të gjitha programet e Infermierisë. Ndërsa një grup tjetër studentësh, pretendon se pyetjet e hartuara për infermierët, ishin të vështira dhe se janë hartuar nga mjekët, e madje se ishin më të vështira edhe se ato për mjekët. Duke i krahasuar këto pyetje, u vu re se ato kishin të bënin me imtësira rreth anatomisë dhe fiziologjisë së organizmit të njeriut, se kishin të bënin me përbërje kimike, si edhe me diagnoza të ndryshme, të cilat edhe mjekëve ndoshta nuk do t’u duhen të trajtuara kaq imtësisht. Kurse infermierëve, as që do t’u hyjnë në punë ndonjëherë”, thuhet në deklaratën e Urdhrit të Infermierit.

Më tej shtohet se studentët që janë ankuar pranë UISH-së, janë të mendimit se ky provim, është për lejen e dhënies së ushtrimit të profesionit, e prandaj, duhet që të bazohet në pyetje profesional, por rezultoi sipas tyre, se ai ishte më akademik se ai që kanë dhënë për marrjen e diplomës në shkollë.

Urdhri i Infermierit të Shqipërisë thekson nga ana e tij, është duke i analizuar të gjitha këto vërejtje dhe kërkesa dhe mendon që shumë shpejt të organizojë edhe një tryezë përkatëse me Ministrinë e Arsimit, si edhe fakultetet private dhe publike, që kanë të përfshirë degën e infermierisë.

a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit