Transmetuar më 27-02-2012, 13:09

Tiranë, 27 shkurt 2012, NOA – Lideri i opozitës Edi Rama deklaroi sot se universitetet shqiptare janë shndërruar në streha vorfnore të mjerimit, pasi sipas tij studentët pas daljes nga universitetet përballen me varfërinë, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Gjatë tryezës së Partisë Socialiste për politikat mbi rininë, që ngërthen programi i ri politik “Për një Rilindje Shqiptare”, kryetari i Partisë Socialiste theksoi se rinia shqiptare është e çoroditur nga papunësia e thellë që e ka kapluar.

“Ndër 1 milion të papunë në vend shumica dërrmuese janë të rinj e të reja”, u shpreh Rama.

Ai akuzoi qeverinë se me reformat e saj të fundit për universitetet po favorizon universitetet private, që kanë si kriter vetëm paratë.

Në këto kushte, shefi i selisë rozë nënvizoi se rënia e cilësisë në universitete ndihet ndjeshëm vit pas viti.

Duke folur për politikat mbi rininë, Rama tha se çorodia nis në sistemin parauniversitar, i cili sipas tij është kthyer në një sistem punësimi për militantët e partisë në shtet, duke saktësuar se në emërimin e mësuesve mungon tërësisht meritokracia.

“Dhuna sociale, droga, alkooli, ikja nga mësimi është bërë normë, dhe disiplina fjalë boshe. Politika ka shkatërruar me shembullin e saj të mbrapshtë vetë moralin e shkollës. Dhe politika e sotme për rininë që duhet t’i ketë rrënjët tek shkolla është domosdoshmëri për vendin”, tha kryetari i PS-së.

Ai nënvizoi se politikat rinore të PS-së mund të transformojnë këtë plagë të thellë të shoqërisë shqiptare, të krijuar nga politika e grabitjes dhe keqqeverisja, e cila ka vrarë shpresat e rinisë, këtij kapitali njerëzor për të punuar.

mit/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit