

Prishtinë, 25 shkurt 2012, NOA – Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje ka lajmëruar një protestë të hënën për të refuzuar mbishkrimin për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale, dy partitë opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë deklaruar se nuk e mbështetin këtë protestë të Vetëvendosjes dhe as mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Pasi nuk arriti të mbledhë 40 firma deputetësh për një seancë të jashtëzakonshme mbi këtë çështje, Lëvizja Vetëvendosje ka nisur të mbledhë firma nga qytetarët e Kosovës.
Përfaqësuesi i Vetëvendosjes, Dardan Sejdiu tha se Lëvizja Vetëvendosje ka nisur të mbledhë format e qytetarëve në 28 qendra të ndryshme të Kosovës për të kundërshtuar këtë formulë të bërë publike nga kryeministri Hashim Thaçi.
Lëvizja Vetëvendosje shpreh besimin se ata do të mbledhin 10 mijë nënshkrime të qytetarëve duke bërë të mundur kështu edhe mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme për të kundërshtuar fusnotën.
Nismën e Vetëvendosjes nuk e kanë përkrahur AAK dhe LDK.
Një përfaqësues i AAK-së bëri me dije se AAK është kundër debatit për mbishkrimin e përfaqësimit, porse ajo siguroi se do të punojë fort për rrëzimin e qeverisë aktuale të kryeministrit Thaçi.
mit/NOA
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





