

Milano, 25 shkurt 2012, NOA – Pas pesë vitesh proces mbi të ashtuquajturën akuzë për korruptimin e avokatit anglez Mills, ish-kryeministri italian Silvio Berlusconi është liruar sot nga akuzat për dhënie ryshfeti për dëshmi false, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Gjykata e Milanos rrëzoi akuzat e Prokurorisë për shkak të skadimit të afateve të çështjes gjyqësore.
I akuzuar nga Prokuroria për korruptim në aktet gjyqësore tashmë kavalieri është liruar nga akuzat, por jo me një vendim që e shpall atë të pafajshëm për akuzat për korrupsion.
Procesi gjyqësor kundër Berlusconit zgjati plot pesë vjet dhe sipas prokurorëve kavalieri i kishte dhënë avokatit anglez të taksave Mills 600 mijë dollarë, që të jepte dëshmi false në fund të viteve ’90.
Verdikti i gjyqtarëve milanezë erdhi pas tri orë konsultimesh.
Kolegji i Milanos kërkoi 90 ditë kohë për të bërë publike arsyet e verdiktit mbi skadimin e afateve për çështjen kundër Berlusconit, një kohëzgjatje e cilësuar tejet e gjatë nga akuza italiane, që e bën gati gati të pamundur apelimin e vendimit nga Prokuroria.
Fati për bërjen publik të vendimit skadon në fund të majit dhe në fillim të qershorit.
Prokuroria nuk e komentoi vendimin e Gjykatës së Milanos, por burime të ndryshme bëjnë me dije se akuza është gati për të apeluar vendimin.
Piero Longo, avokati që asiston Berlusconin deklaroi se vendimi i gjykatës ishte një grusht i vërtetë.
Mbrojtja kishte kërkuar zgjidhjen e çështjes me shpalljen e pafajësisë për Berlusconin.
“Ne kishim kërkuar një zgjidhje të plotë, pasi besojmë se Presidenti Berlusconi e meriton”, deklaroi për gazetarët pas vendimit një nga avokatët e Berlusconit, Niccolò Ghedini.
Ndërsa avokati tjetër i tij, Piero Longo, do të theksonte se mbyllja e procesit për skadim afatesh për kavalierin është një sukses, pasi kundërshtarët e tij do të deklarojnë se ky është një skandal.
Kavalieri italian ka deklaruar se është i pafajshëm, duke i konsideruar akuzat si luftë e shëmtuar politike nga kundërshtarët e tij.
mit/NOA
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





