Transmetuar më 25-02-2012, 14:56

Kukës, 25 shkurt 2012, NOA Update – Ndërsa reshjet e dëborës janë ndërprerë prej ditësh duke i lënë vendin një moti të mirë dhe shkrirjes sakaq të dëborës, ngricat dhe akulli i krijuar gjatë natës së të premtes kanë shkaktuar paraditen e të shtunës një aksident në Rrugën e Kombit, në aksin Milot-Kalimash pranë zonës së Fanit, ku janë përplasur plot 7 automjete njëherësh, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Objekt i aksidentit është bërë rrëshqitja e një kamioni, që udhëtonte drejt Kukësit dhe dalja nga rruga e tij ka pasuar përplasjen edhe të gjashtë makinave të tjera.

Sipas Policisë rajonale në aksident është përfshirë edhe makina Fuoristradë e deputetit të Partisë Socialiste Eduard Shalsi, i cili po shkonte në Kukës, për të takuar banorë në zonat e izoluara nga dëbora.

Aksidenti ndodhi në orën 6.00 të mëngjesit dhe fatmirësisht ai ka shkaktuar vetëm dëme materiale dhe asnjë të lënduar.

Gjendja e rrugëve në zonat e bllokuara është e vështirë tashmë për shkak të shkrirjes së dëborës dhe prezencës së akullit në rrugë që shkakton rrëshqitjen e makinave.

Në autostradën e Kombit ka ende prezencë akulli, por punonjësit e drejtorisë së rrugëve po hedhin kripë për të shmangur aksidentet.

Njëri krah i autostradës është i bllokuar dhe policia po mbikëqyr qarkullimin e automjeteve për të shmangur çdo aksident të mundshëm që mund të shkaktohet nga akujt në rrugë dhe humbje jetësh njerëzore.

mit/NOA

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit