Transmetuar më 25-02-2012, 13:46

Tropojë, 25 shkurt 2012, NOA – Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka shpërndarë ndihma për banorët e komunave të Tropojës, të cilat janë të izoluar nga dëbora. Drejtues të kësaj partie kanë shpërndarë pako me ushqime dhe mjete të domosdoshme jetese për 600 familje.

Një përfaqësi e drejtuar nga kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi vizitoi banorët e Tropojës, duke u ofruar edhe ndihmën për këtë periudhë të vështirë. “Ne solidarizohemi me banorët e rrethit të Tropojës, të cilët kanë kaluar një periudhë të vështirë nga ajo që është cilësuar si fenomeni më i rëndë natyror i këtij lloji në 60 vitet e fundit. Sipërmarrës të komunitetit të shqiptarëve të Çamërisë janë bashkangjitur në këtë përpjekje për t’u ardhur në ndihmë bashkëqytetarëve tanë. Kjo, jo thjesht si një gjest human, por edhe si shenjë mirënjohjeje ndaj këtij komuniteti që është gjendur gjithmonë pranë shqiptarëve të Çamërisë”, – deklaroi Idrizi.

Të pranishëm në procesin e ndarjes së ndihmave kanë qenë dhe drejtues lokal të PDIU. Kryetarja e Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet dega Tropojë, Sose Çapllani theksoi se të gjithë duhet të solidarizohen me këtë situatë.

“Kjo është hera e parë që një parti politike solidarizohet për rrethin tonë dhe për këtë arsye duhet t’i falënderojmë miqtë tanë. Sot, 600 familje kanë marrë një mbështetje me ndihma për të kaluar këto ditë të vështira dhe ne do t’u qëndrojmë gjithmonë në krah”, – deklaroi Çapllani.

a.k/NOA

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit