Transmetuar më 25-02-2012, 11:38

Prishtinë, 25 shkurt 2012, NOA – Lëvizja Vetëvendosje ka ndërrmarrë sot një fushatë sensibilizimi kundër nënshkrimit të marrëveshjes së Kosovës me Serbinë, për bashkëpunimin rajonal.  Drejtuesit e Vetëvendosjes kanë kërkuar mbajtjen e një debati në Kuvend, ku të diskutohet për detajet e marrveshjes dhe mbi faktin se çfarë ka fituar Prishtina nga ky pakt.

Për këtë qëllim, sot Vetëvendosja ka nisur mbledhjen e firmave nga gjithë komunat e Kosovës për të mundësuar mbajtjen e debatit dhe anulimin e marrëveshjes. “Kërkojmë që Kuvendi i Republikës së Kosovës në përputhje me nenin 65 pika 1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe nenet 15 dhe 38 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës, të mbajë debat parlamentar për ta trajtuar këtë kërkesë tonën: Të mos pranohet marrëveshja për përfaqësimin rajonal të Kosovës pa termin Republikë dhe me Rezolutën 1244 në fusnotë”, thuhet në dokumentin e Vetëvendosjes që sot është shpërndarë në gjithë Kosovën.

Kërkesa e plotë e Vetëvendosjes

Për:  Kryesinë e Kuvendit të Republikës Kosovës

Lënda:  Kërkesë

Qeveria e Republikës së Kosovës tashmë ka zyrtarizuar marrëveshjen me qeverinë e Serbisë për denominim politik të përfaqësimit dhe bashkëpunimit rajonal të Republikës së Kosovës. Kjo marrëveshje filloi si qëndrim i kryeministrit Hashim Thaçi, i cili shpejtë dhe pa diskutim fare, u bë qëndrim i qeverisë dhe tash marrëveshje me Serbinë.

Futja e Kosovës si fusnotë dhe heqja e emërtimit politik Republikë nga emri ynë shtetëror është prapakthim në avancimin tonë politik të brendshëm e të jashtëm. Pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës janë të patjetërsueshme dhe të panegociueshme, dhe askush nuk ka të drejtë të marrë vendim për cenimin, shkurtimin, apo heqjen e tyre.

Republika po hiqet dhe fusnota po shtohet në marrëveshje me Serbinë. Kjo nuk mund të jetë zgjidhje e përkohshme meqenëse ndryshimi i saj në të ardhmen prapë do të jetë subjekt i një marrëveshje të re me Serbinë. Po qe se e pranojmë tash, shteti do të na mbetet përherë pa republikë dhe me fusnotë. Fusnota e rrezikon jashtëzakonisht shumë politikën tonë të jashtme, dhe veçanërisht njohjet e reja nga shtetet që nuk na kanë njohur. Kthimi i Rezolutës 1244 nënkupton status të padefinuar për Kosovën. Të tjerët madje mund të na shohin kështu. Por ne assesi nuk bën ta njohim veten si të padefinuar.

Andaj, kërkojmë që Kuvendi i Republikës së Kosovës në përputhje me nenin 65 pika 1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,  si dhe nenet 15 dhe 38 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës, të mbajë debat parlamentar për ta trajtuar këtë kërkesë tonën:

Të mos pranohet marrëveshja për përafaqësimin rajonal të Kosovës pa termin Republikë dhe me Rezolutën 1244 në fusnotë.

Komunat ku do të nënshkruhet marrëveshja

Artanë

Zyra e LVV! në fshatin Llabjan.

Fushë Kosovë

Rrethi kryesor në Fushë Kosovë

Vushtrri

Përballë Postës

Shtërpcë

Zyra e LVV! në Shtërpcë

Ferizaj

Përballë Kuvendit Komunal në Ferizaj

Therandë

Përballë kafiterisë ‘Rock Hard’

Gjilan

-Te Xhamia e Madhe

-Te Teatri i Qytetit

-Te shkollat e mesme

Malishevë

Te rrethi kryesor në Malishevë

Gjakovë

Përballë  Pallatit të Kulturës ‘Asim Vokshi’

Sharr

Përballë Kuvendit Komunal në Sharr

Pejë

Në Qendër të Qytetit

a.k/NOA

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit