
"E para rrugë, e cila haptazi është e frikshme për kalimtarët e politikës është pamundësia e zgjedhjes së presidentit për shkak të formatimit të vet, Kushtetutës, saktësisht nenit 87, çka se edhe pas përpjekjeve gjysmake të vitit 2008 për ta tejkaluar këtë problem, zgjidhja është thuajse e njëjtë si më parë, edhe pas këtyre ndryshimeve"…
Nga Sokol Hazizaj
Dilema e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, sot më shumë se kurrë, endet në korridoret e politikës, por asnjë nga ata që marrin pjesë në të nuk japin dhe marrin ende pa vështruar në sy kryetarin e tyre, kushdo qoftë ai. Tri janë alternativat nëpër të cilat është e detyruar të kalojë politika dhe po kështu, tre mund të jenë kandidatët kryesorë sipas alternativave pse jo dhe kushtetues e të bërit president.
E para rrugë, e cila haptazi është e frikshme për kalimtarët e politikës është pamundësia e zgjedhjes së presidentit për shkak të formatimit të vet, Kushtetutës, saktësisht nenit 87, çka se edhe pas përpjekjeve gjysmake të vitit 2008 për ta tejkaluar këtë problem, zgjidhja është thuajse e njëjtë si më parë, edhe pas këtyre ndryshimeve. Pra nga çdo vështrim që mund ta interpretosh këtë dispozitë, është e pamundur që të konsumosh qoftë raundin e parë pa pjesëmarrjen e 84 deputetëve. Kjo e fundit është kaq e qartë sa edhe komuniteti ndërkombëtar, ndonëse asistoi në ndryshimet kushtetuese të 2008-s, e kuptoi që nuk e kishte zgjidhur problemin për të cilën futën politikën në udhëkryqin e grevës së urisë së LSI-së, prandaj i janë drejtuar terminologjisë së konsensusit, duke e përjashtuar jo pafundësisht krizën parlamentare, për shkak të moszgjedhjes së presidentit. Mesazhi i tyre është fare i qartë, duke e thënë indirekt se zgjedhja e tij nuk është dhe s’mund të jetë nyja gordiane që mund të fusë vendin në zgjedhje. Arsyet që të vijnë ndërmend për këtë konsideratë janë të shumta, por më kryesoret mendoj se janë dhe ato ligjore, si p.sh. kompetencat dhe roli i dobët që ka Presidenti Republikës në jetën politike dhe ligjore të vendit. Nga një vëzhgim i thjeshtë dhe mbi terminologjinë e përdorur së fundmi nga dy aktorët më të mëdhenj të politikës sonë, vihet re se do të bëjnë çfarë është mundur për të kapërcyer nonsensin konstitucional të arenës konfliktuale dhe politike të zgjedhjes së presidentit, duke e çuar vendin në zgjedhje vetëm në vitin 2013, duke u mundësuar të gjithë faktorëve një mandat të plotë politik, si dhe të dyja palët politike i japin kohë vetes të mprehin armët për një proces zgjedhor të fortë, ku PD-ja hyn në zgjedhje jo shumë optimiste për të marrë mandatin e tretë qeverisës dhe PS në dilemën e fitores e vetme apo me aleatët. Pra nëse opinioni i brendshëm dhe i jashtëm gjithashtu do të ishin mprehur për zhvillimin e zgjedhjeve të reja parlamentare së afërmi, presidenti dhe mënyra e zgjedhjes së tij do të ishte zgjedhja më e mirë për të zgjidhur njëherazi dhe riformatimin e Parlamentit të ri. Në rastin e konfliktit ligjor me motivin për ta çuar vendin në zgjedhje, padyshim politika do të servirte kandidat për president jo nga veprimtarët e saj, jo se do t’i dhimbseshin, por nisur nga bindja se çdo zgjedhje e dhënë për zgjidhje do të ishte e dështuar ose e dyshimtë. Zgjedhja e një njeriu alifmatrak, jo politik, jo vetëm që nuk do të zgjidhej, por edhe nëse do të mundësohej zgjedhja e tij, do t’i vinte të gjithë kahet politikë në vështirësi të madhe në një moment të veçantë, kur kryeministri i kohës do të duhej të kishte mbështetjen politike të kreut të shtetit, pa nisur mesazhe të qarta ndaj tij. Shembuj të tillë pas vitit 1998 ka plot, kur janë shfaqur haptazi paqartësi dhe konflikte të shpeshta midis kryeministrave dhe presidentëve të vendit, si në aspektin ligjor dhe moral gjithashtu. Ndonëse ky vend e meriton të përballet më shpesh me zgjedhje për shkaqe ligjore dhe kushtetuese, sepse është mirë, madje shumë mirë kur konsumohen zgjedhje për shkaqe të tilla dhe jo për shkaqe të tjera si edhe kanë ndodhur në vendin tonë. Por siç po duken bathët, kjo nuk do të ndodhë për njëmijë e një arsye, ndër të cilat, më kryesoren e citova më sipër.
Rruga e dytë është ajo e kapërcimit të situatës kushtetuese nëpërmjet konsensusit, pra e kapërcimit të situatës së vështirë të kuorumit të Parlamentit nëpërmjet një marrëveshje të madhe midis të mëdhenjve, e cila për mendimin tim do t’i hapte rrugë zhvillimit të një procesi të qetë zgjedhor në vitin 2013, duke i lënë në dorë po të njëjtëve aktorë për të zgjidhur shumë probleme deri atje. Dua të kujtoj se momenti kryesor, të cilin e kanë të qartë të gjithë si brenda dhe jashtë politikës, komunitarët dhe ndërkombëtarët është se cilido qoftë rezultati i zgjedhjeve të ardhshme, pushteti do të dorëzohet me letra në dorë, ose do të vazhdojë po me letra në dorë, siç u trajtua dhe në vitin 2005, kur ndryshuan mazhorancat qeverisëse. Kjo është kaq e qartë, sa të mos duket çudi që gjatë fillimeve të vitit 2013 do të fillojë të ketë një fushatë të madhe ku kredua e çdo politikani do të jetë mbajtja e qetësisë dhe e stabilitetit. Për shkak të këtij përfytyrimi, nuk do të jetë jashtë normales dhe e papranueshme kandidimi i z. Berisha për President të Republikës. Ka qenë një diskutim paradokohësh nën zë se a mund që të rizgjidhet në mënyrë kushtetuese pas rizgjedhjes së tij në 1997-n, ushtrimit prej tij të një mandati të ndërprerë?. Duke e interpretuar fjalë për fjalë pikën e parë dhe të katërt të nenit 88 të Kushtetutës konstatohet lehtë se z. Berisha nuk ka asnjë pengesë për të kandiduar dhe për t’u zgjedhur sërish, kur pranohet se “Presidenti i Republikës, në çdo rast, zgjidhet për 5 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë…. Presidenti që jep dorëheqjen para mbarimit të mandatit të vet, nuk mund të kandidojë në zgjedhjen presidenciale që bëhet pas dorëheqjes së tij”. I vetmi problem që shfaqet është i lidhur me dëshirën e Tij. Jo vetëm unë por edhe shumë të tjerë që nuk e pranojnë hapur, pohojnë se PD-ja jo vetëm për shkakun se Berisha është themeluesi i saj, por edhe për shumë arsye edhe biologjike gjithashtu, nuk do të marrë kuptim më pas pa atë. Në aspektin politik, problemi i zgjedhjes së një kryetari të ri të PD-së është shumë i vështirë për t’u zgjidhur brenda saj, edhe për faktin se nuk jemi në vitin x, kur mund të zgjidhej një tjetër me të drejtën e këmbimit për shumë arsye, midis të cilave asaj kohe vetë kryetari ishte ende i ri në moshë, si dhe politika e asaj kohe nuk ishte kaq e hapur dhe demokratike si sot. E kush më mirë se ai, deri sot, mund të bëjë një opozitë të fortë, jo vetëm kur është në opozitë, por dhe kur është në qeverisje. Nëse supozojmë se PD-ja i humbet zgjedhjet e vitit 2013, kush më mirë se ai mund të dorëzonte, ashtu si dhe Nano, librin e qeverisjes pas tetë viteve, duke shkuar qetësisht në opozitë, dhe të gjithë e dimë se opozita e tij nuk është karamele, e cila mund të shkrijë lehtazi në gojë. Opozita e orkestruar prej tij ka treguar se edhe qeveris duke qenë në opozitë. Gjithashtu Ai e di shumë mirë se, edhe nëse duhet të lërë pushtetin, nuk e lë i vetëm, por me të tjerë, duke përfshirë edhe përfaqësues aleatë nga e majta, ndërsa ia dorëzon pushtetin një të majte, e cila numerikisht nuk ka aleatë sa dhe ai, e cila jo vetëm por shfaqet josolide, shpeshherë dhe konfliktuale. Pra kandidimi dhe qenia President i Republikës nuk do të ishte një favor shumë i madh politik për të, në të gjitha kuptimet, ndonëse nuk ka pengesa të karakterit formal.
Rruga e tretë, e cila është dhe vjen e shfaqet më tepër në skenën politike për shkak të konsensusit të provokuar rishtazi është dhe ngelet Fatos Nano, ambicien për President të Republikës ka kohë të cilën e ka deklamuar haptazi. A bëhet Nano? Përgjigjja e kësaj pyetje nuk ishte e thjeshtë përpara disa kohësh, por tani dhe për shkak të ndryshimit të disa rrethanave edhe politike gjithashtu të PS-së, mund të themi me bindje se i ka të gjitha shanset për t’u bërë. Kush më mirë se ai ka mundur gjatë karrierës politike të marrë nisma qetësuese dhe bashkëpunuese me opozitën e kohës, duke dalë jo vetëm mbi politikën dhe mbi veten, por dhe mbi gjithë përfaqësimin politik të PS-së, kur ajo ndodhej në pushtet. Kush më mirë se ai mund të zgjidhte momentin politik dhe social të një dorëheqje brilante nga të gjitha postet politike dhe morale, duke u larguar, por jo arratisur. Kush më mirë se ai mund të detyrojë qetësisht edhe liderin politik të së majtës, që të pohojnë se Nano është distancuar nga interesat politike të çastit dhe ato partiake. Në vështrimin e kohës në të cilën pretendohet të jetë president, të gjithë faktorëve dhe aktorëve politikë thjeshtazi do t’i interesonte zgjedhja e tij. Midis qindra arsyeve, më të thjeshtat, në kuptimin politik, do ishte se brenda PS-së, raporti si individual, moral dhe politik midis tij dhe liderit aktual të PS, do të qetësoheshin. Kjo përbën një arsye shumë të vogël, përballë arsyeve dhe shkaqeve më të mëdha politike, kur në rast se mazhoranca e sotme do të humbte pushtetin, lideri i saj nuk do ta konsideronte humbje të madhe dorëzimin e librit të ekzekutivit te një President Republike si Nano, por dhe nëse do ta fitonte për herë të tretë mazhorancën, e cila ka pak gjasa të ngjasë, moderatorin e një fitore apo humbje të çalë mund ta bënte shumë mirë nëse President i Republikës do të ishte Nano.
‘Shqip"
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





